Rama: Arbitrim diletantesk ndaj Teutës, Disiplina na hoqi edhe lojtarin e 12
Drejtori Sportiv i Partizanit, Olsi Rama ka bërë një deklaratë për mediat, ku nuk e ka fshehur zhgënjimin për mënyrën sesi u arbitrua ndeshja mes “të kuqve” dhe Teutës pasditen e sotme në “Selman Stërmasi”.
“Nuk po merrem fare me kartonët e verdhë që mori Romero, që në 36 minuta bëri vetëm një gjysmë faulli dhe u dënua me karton të kuq, ndërkohë që mbrojtësi i djathtë i Teutës, në mënyrë flagrante ndaloi Melon. Ajo ndërhyrje është një karton i verdhë në mesfushë, kur ndërpret aksionin dhe jo më ndaj një lojtari që ishte duke shkuar drejt portës dhe do ishte kartoni i dytë i verdhë, që do e vinte lojën në baraspeshë. Kjo është një ngjarje që unë do ta përshkruaj si gabim delitantesk. Arbitri ka kaq kohë që gjykon në Superiore që fatkeqësisht vazhdon të bëjë të tilla gabime, ose një keqdashje e tij, që në mënyrë evidente nuk ndëshkon 2 lojtarë me uniformën blu vetëm se nuk do që të vejë drejtësi në fushë. Kam 2 vjet drejtor i Partizanit. Protestat e mija ndaj arbitrit kanë qenë vetëm 1 herë në ndeshjen ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi”, tha Rama.
Drejtuesi i klubit kryeqytetas nuk la pa “shigjetuar” as organet e Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me vendimin e pezullimit të fushës, duke qenë se Tiranës iu llogarit ndeshja e Kupës dhe Partizanit jo.
“Sot fatkeqësisht e filluam ndeshjen me një karton të kuq. Kartoni i kuq ishte përkundrejt lojtarit tonë të 12-të, tifozëve, të cilët nuk patëm mundësi t’i kishim në stadium me gjithë dëshirën tonë për t’i patur, duke u përpjekur me FSHF dhe Komisionin e Disiplinës që të konvertonim dënimin. Një pabarazi gjykimi kjo për sa i përket Tiranës që arriti të shlyente një ndeshje të dënimit me sfidën e Kupës, ndërsa ne jo. Na u hoq një element shumë i rëndësishëm i lojës tonë, lojtari i 12-të dhe fatkeqësisht kemi luajtur ndeshjen në një situatë 10 kundër 12”, deklaroi drejtori i Partizanit.



