Ramadani lë Vllazninë, zyrtarizohet në Kosovë te Drenica e Devollit!
U përfol si një përforcim i mundshëm i Apolonisë në merkaton, por Behar Ramadani ka zgjedhur Kosovën duke iu bashkuar Drenicës së Bledar Devollit. Mesfushori shkatërrues i cili kishte pak hapësira në formacionin e Vllaznisë është larguar nga shkodranët për të nisur një aventurë të re në Superligën e Kosovës. 30-vjeçari ka firmosur me Drenicën për një sezon, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Ramadani me eksperiencën e tij do të përpiqet të ndihmojë skuadrën e Devollit të arrijë objektivin sezonal që është mbijetesa.
POSTIMI – Behar Ramadani, përforcimi i parë i ekipit! Mesfushori difenziv Behar Ramadani, zyrtarisht është lojtar i FC Drenica! Ai sot në ambientet e klubit është prezantuar dhe i është bashkuar ekipit në stërvitje. Ramadani luan në pozitën e mesfushorit dhe së fundmi ka qenë lojtar i Vllaznisë nga Shkodra. Mesfushori ka nënshkruar kontratë me klubin deri në përfundim të këtij sezoni, me mundësinë e rinovimit. Behar Ramadani është përforcimi i parë në këtë afat kalimtar (merkato), kurse klubi gjatë ditëve në vijim do të prezantojë edhe prurjet tjera!



