Ramadani: Na mungoi fati dhe eksperienca, edhe në kampionat duhet të luftojmë si ndaj Laçit
Trajneri i Egnatias, Zekirija Ramadani foli pas ndeshjes së Kupës në Supersport, teksa rrogozhinasit u eliminuan vetëm pas goditjes së penalltive ndaj Laçit duke qenë se koha e rregullt u mbyll me rezultatin 0-0 dhe ndeshja e parë kishte përfunduar në barazimin 1-1. Ramdani vlerësoi shpirtin luftarak të skuadrës së tij, ndërsa shpreson që këtë lojë, ekipi ta reflektojë edhe në kampionat për të lënë zonën e ftohtë të renditjes.
“Sot vetëm fati nuk ishte në anën tonë, por na mungoi edhe eksperienca. Gjithsesi duhet të jemi të kënaqur me grintën e treguar, ishim edhe me një lojtar më pak. Kishim gjysmë raste, edhe Laçi pati mundësitë e veta mbse më konkrete. Te penalltitë duhet eksperienca dhe fati, ne nuk i patëm, por, pozitive është grinta dhe këtë nuk e kemi çdo ndeshje. Duhet të luftojmë si sot në kampionat për t’u larguar nga zona e ftohtë”.
Lodhja mund të ndikojë në kampionat? “Do të mundohemi ta rigjenerojmë ekipin, do jetë e vështirë, por kemi mundësi të bëjmë ndonjë zëvendësim dhe të luajnë atë më të fresktët përballë Tiranës. E dinim koston, por tashmë duhet vazhdojmë para”.
Puja? “Ka një të ardhme të mirë, është punëntor, korrekt. Sot nuk do të veçoja vetëm Pujën, por të gjithë skuadrën që nuk pësoi gol”, u shpreh Ramadani.



