Ramadani: Ndeshje pa shpirt dhe ndërgjegje, nuk e kam parë më dobët se sot Egnatian
Zekirija Ramadani e thotë hapur që ndaj Teutës Egnatia zhvilloi ndeshjen më të dobët nën drejtimin e tij. Në prononcimin në “Gol pas Goli”, u shpreh:
“Ndryshuan në pjesën e dytë. Ishte një ndeshje pa shpirt, pa ndërgjegje nga futbollistët. Duhet të luajnë për veten dhe të mbajnë ekipin në nivel. Duhet të jemi gati për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, në “play out”. Shumë ekipe kanë dështuar në këtë aspekt, ndaj duhet të marrim masa. Duhet të japim maksimumin, pavarësisht rezultatit. Nuk e kam parë ekipin tim si sot.”
Marrja e përgjegjësisë: “Ndonjëherë edhe për gabime e humb ndeshjen, por edhe për meritën e kundërshtarit. Ne ishim përgatitur që ta mbanim sa më gjatë 0-0 dhe të mundoheshim me kundërsulme të ishim të rrezikshëm, përkundrazi pësuam gola, mungesë përqendrimi. Nuk kanë faj vetëm futbollistët, edhe ne që nuk arritëm ndoshta ta motivonim skuadrën. Do të ndryshojmë në ndeshjet e ardhshme.”
Momenti i rënies: “Bëmë një ndeshje të mirë kundër Kastriotit, por e humbëm. Nga ai takim, ekipi është dëshpëruar, ndoshta ngaqë kemi pasur pritshmëri. Mundohemi ta relaksojmë ekipin, por ndikon lodhja. Ajo ndeshje ndikoi edhe në aspektin psikologjik.”
Gol në goditje standarde: “Ne punojmë për goditjet standarde, punon shumë asistenti im. Aty ishim, por nuk arritëm të mbroheshim. Sa u përket kontratave, ato janë afatgjatë. I kam kërkuar presidentit që të mësojmë nga gabimet.”



