Ramadani: U gëzova që nuk pësuam, Pedro super. Tifozët? Na shajnë edhe neve…
Egnatia mori tre pikë jetike përballë Skënderbeut, kundërshtar të cilin e mposhti 2-0 falë golave të Pedro Augustos dhe Jackson. Trajneri i ekipit nga Rrogozhina, Zekirija Ramadani u shfaq i gëzuar në “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku vlerësoi paraqitjen e djemve të tij, u ndal te sulmuesi Pedro Augustro dhe nuk e kurseu një batutë për tifozët.
“E dinim që do e kishim të vështirë po t’i linim të luanin pasi Skënderbeu ka lojtarë të mirë. Kjo ndeshje nuk duhet të luhej, duhet të fitohej. E arritëm objektivin, jam i lumtur edhe që nuk pësuam. Është ndeshja e parë që nuk pësoj gol. Kjo fitore na jep qetësi dhe besim, të vazhdojmë përpara me këtë grintë dhe agresivitet.
Sulmi? Sot ekipi kishte freskinë e duhur, karikimi ishte në nivelin e duhur, pasi edhe karikimi i tepërt është i dëmshëm. Një derbi i vërtetë, me luftë sportive dhe sakrificë. Na sollën te tre pikët edhe gjërat e vogla taktike me të cilat kishim punuar.
Dua të shtoj se presioni për mungesë rezultatesh bën të veten, ndikon në humbjen e rasteve. Duhet të jemi të kënaqur me lojën, rastet dhe volumin e krijuar.
Pedro Augusto? Pedro posedon një kualitet të lartë, ai është i ri, por dëmtimi e ka lënë mbrapa. Kishim nevojë t’i jepnim hapësira nga 20-30 minuta. Ai e mban dhe e kontrollon topin, ndihmon ekipin edhe në finalizim me forcën dhe teknikën e tij, është futbollist i jashtëzakonshëm, ndihmon edhe lojtarët e tjerë të luajnë më ndryshe.
Tifozët? Nuk kemi qasje në tribunë. Unë kam përgjegjësi për stafin tim, që ka treguar personalitet, kështu do të sillemi deri në fund. Tifozët blejnë biletën, në disa raste na shajnë edhe neve. Besoj se do t’i qetësojë kjo fitore”, deklaroi trajneri nga Shkupi.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



