Ramsey te Juve, Emery: Deri në qershor do japi shpirtin për Arsenalin!
Aaron Ramsey është shumë pranë transferimit te Juventusit pasi sipas mediave italiane ka arritur marrëveshjen me bardhezinjtë për një kontratë 5-vjeçare me një pagë prej 6,5 milionë eurosh në sezon. Megjithatë mesfushori uellsian do të kalojë te bardhezinjtë vetëm verën e ardhshme kur t’i ketë përfunduar kontrata me Arsenalin. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i topçinjëve Unai Emery i cili kërkon përkushtim maksimal nga Ramsey deri në fund të kontratës.
“Sot e dua me ne, në fund të sezonit do të jetë momenti në të cilin ai mund të shkojë ku të dojë”, qartëson trajneri spanjoll, Emery, i cili në lidhje me kontaktet e futbollistit me drejtuesit e Juventus deklaroi: “Nuk di asgjë. Dua që të qëndrojë i përqendruar çdo ditë mbi përgatitjet tona dhe të mendojë për ndeshjen e radhës, që është kundër Blackpool në FA Cup. Mua më duket i përqendruar, të martën luajti 15 minuta dhe luajti mirë, madje duke shënuar. Këtë dua prej tij”.



