Rangnick heq nga merkato Cavanin: Ia kam thënë që në ditën e parë
Edinson Cavani ishte një nga emrat e sulmuesve që qarkullonin në merkaton e janarit si opsion për Juventusin dhe jo vetëm. Megjithatë, për të sqaruar këto thashetheme ka menduar vetë trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick.
Gjermani ka theksuar se uruguajani ban pjesë në planet e tij për vazhdimësinë e sezonit, ndërsa tregon se këtë ia ka treguar Cavanit prej ditës së parë kur ai ka marrë drejtimin e skuadrës.
“Le ta sqarojmë përfundimisht këtë pjesë, Cavani nuk do të largohet në muajin janar. Kemi folur për sulmuesin edhe më parë, ai e di se nuk do të largohet nga skuadra.
Ne kemi nevojë për Cavanin, ai është i mrekullueshëm. Ia kam thënë atij prej ditës së parë kur kam marrë drejtimin e skuadrës, për mua Cavani është shumë i rëndësishëm dhe do të qëndrojë”, u shpreh Rangnick.
Këtë sezon, me fanellën e United, 34-vjeçari është aktivizuar në shtatë ndeshje, ndërsa ka realizuar edhe dy gola.



