Ranieri i dorëzuar: Nuk mund të bëjmë më shumë, skuadra është stërvitur keq
Erdhi te Roma para një muaji, me objektivin për të shpëtuar sezonin e verdhekuqve, por pas disa ndeshjesh, Claudio Ranieri duket i dorëzuar dhe pranon se kryeqytetasit e kanë të vështirë të bëjnë më shumë.
Skuadra e Romës humbi sot me rezultatin e thellë 1-4 përballë Napolit, në një sfidë ku të besuarit e Ancelottit bënë gjithçka në mënyrë perfekte, ndërsa ata të Ranierit komplikuan rrugën për një vend në zonën Champions.
“Lojtarët më thonë se janë stërvitur pak e kanë luajtur shumë për shkak edhe të dëmtimeve. Po punojmë shumë, por më tepër se kaq nuk kemi çfarë të bëjmë. Do të provojmë deri në fund të renditemi në katër më të mirët”, tha trajneri i Romës.
Megjithatë, përtej gjithçkaje, Ranieri nuk duket se është penduar që zgjodhi të ulet në stolin e Romës, ndërsa bëri thirrje për të punuar në qetësi, në prag të një jave ku do të luajnë dy ndeshje të tjera.
“Nuk jam penduar dhe nuk do të pendohem kurrsesi që pranova stolin e Romës. E vetmja gjë që duhet të bëjmë, është të izolohemi dhe të përgatitim ndeshjen që kemi pas dy ditëve, por edhe atë të fundjavës së ardhshme”, tha Ranieri.



