Basketboll

Raptors fitojnë me dyshen Lowry-VanVleet, Thunder të pandalshëm me Paul George

Përfundoi sikurse parashikohej sfida mes Toronto Raptors dhe Sacramento Kings. Skuadra kanadeze u imponua me një fitore të pastër 120-105, falë një paraqitjeje të shkëlqyer në grup. Kyle Lowry dhe Fred VanVleet, me nga 19 pikë secili, ishin më të mirët mbi parket për Raptors, ndërsa “double-double” i Marvin Bagley (22 pikë dhe 11 “rebound”), nuk e shmangën dot humbjen e Kings. Pas një pjesë të parë më të mirë për Sacramenton, Raptors e shtuan ritmin në periodën e dytë, për ta patur më të lehtë administrimin e epërsisë në dy periodat e fundit.

Një përballje më e ekuilibruar ajo mes Oklahoma City Thunder dhe Portland Trail Blazers, por në fund fitorja ishte për vendasit, që triumfuan 123-114 me spektaklin e dhënë nga Paul George, më i miri mbi parket, me 36 pikë, dhe të Russell Westrbrook, që e mbylli takimin me “triple-double”, 29 pikë 14 asistime dhe 10 “rebound”. Damian Lillard dhe McCollum, respektivisht me 34 dhe 31 pikë, nuk mjaftuan për të shmangur humbjen e Blazers.

Los Angeles Clippers, pa Danilo Gallnarin, dështuan 106-98 në fushën e Dallas Mavericks. Sfida u vendos në 5 minutat e fundit nga Harrison Barnes, autor i 20 pikëve, dhe Luka Doncic, që realizoi 17 pikë.

Fitore e lehtë e Minnesota Timberwolves në parketin e Phoenix Suns 91-118 falë 25 pikëve të Karl-Anthony Towns dhe 21 të Josh Okogie. Përtej humbjes, më i mirë mbi parket ishte Josh Jackson i Suns me 27 pikë e 10 “rebound” në total.

 

Rezultatet:

Toronto Raptors – Sacramento Kings 120-105

Oklahoma City Thunder – Portland Trail Blazers 123-114

Dallas Mavericks – Los Angeles Clippers 106-98

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency