Raul Albiol nuk tërhiqet, rinovon kontratën me klubin spanjoll
Villareal ka njoftuar se ka rinovuar kontratën me mbrojtësin Raul Albiol. 36-vjeçari do të japë kontributin e tij për të katërtin edicion për “nëndetësen e verdhë”.
Edhe pse tashmë me statusin e një veterani dhe me shumë vite mbi supe, drejtuesit gjejnë garanci tek eksperienca e Albiol, i cili edhe këtë sezon po tregon se është një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Pas kontratës së firmosur, mbrojtësi do të jetë pjesë e skuadrës së Villareal deri në verën e vitit 2023.
Mbrojtësi është aktivizuar në 8 ndeshje këtë sezon, ndërsa që nga viti 2019 ka arritur që të luajë 98 takime si titullar, duke shënuar dhe tre gola. Unai Emeri ka shumë besim tek cilësitë e Albiol, i cili ka treguar një nivel fizik të admirueshëm, diçka që i ka bindur drejtuesit se futbollisti i cili mbush 37 vjeç në shtator mund të luajë së pak udhe për një edicion tjetër në nivele të larta.
Albiol ka një karrierë mjaft të pasur teksa ka luajtur në gati 700 ndeshje në elitën e futbollit spanjoll që nga sezoni 2003-2004 kur debutoi me Valencian, duke u aktivizuar në ekipe si Getafe, Real Madrid, Napoli e së fundmi Villarreal.
Vetë lojtari është shprehur i lumtur për rinovimin, duke treguar se ndihet në një ambient që i ka dhuruar shumë dashuri dhe e bën të ndihet mirë. Në sezonin e shkuar, Albiol arriti që të marrë trofeun e Europa League me fanellën e Villareal. Më herët klubi i Villareal ka njoftuar se ka zgjatur bashkëpunimin dhe me Manu Triguero ndërsa pritet dhe rinovimi me Yemery Pino.



