Reagon Egbo: Kishte kohë që prisnin të më hiqnin, nuk jam i mërzitur!
Pas shkarkimit nga stoli i Tiranës Emanuel Egbo nuk fshihet dhe i thotë gjërat hapur. Në një intervistë për Top Channel, nigeriani flet troç: “Kishte kohë që prisnin të më hiqnin. Megjithatë nuk jam aspak i mërzitur për faktin se për një kohë të gjatë po prisnin që unë të humbisja një ndeshje dhe të më largonin”. Egbo largohet nga Tirana pas afro një viti. Në dhjetorin e shkuar ai zëvendësoi Julian Ahmatajn dhe ia doli të fitonte titullin kampion, ndërkohë që shkoi edhe deri në “play off” të Europa League. Kontradiktat dhe raportet jo të mira me drejtorin e ri Tefik Osmani sollën largimin e Egbo nga stoli i bardhebluve. Tifozët e Tiranës do ta falenderojnë gjithmonë, nigerianin për faktin se e kthehu klubin aty ku i takon në sezonin e kaluar edhe pse e mori në vendin e 8-të të renditjes.



