Reali dhe Ronaldo, të lindur për të thyer rekorde
Ka skuadra dhe futbollistë të lindur për të thyer rekorde. Të tillë janë Reali i Madridit dhe pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo. Bota e futbollit prej kohësh është nën këmbët e tyre. 12 trofe Champions League, i 13-ti duket se është shumë pranë, por, përpara se të mbërrijnë në xhiron e fundit, “Los Blancos” kanë vendosur një tjetër rekord: 150 fitore në total në Champions League. Anjë skuadër nuk ka bërë më mirë se madrilenët. Një rrugëtim historik, që vërteton më së miri madhështinë e këtij klubi, madhështi së cilës ia ka shtuar dozat dhe Zinedine Zidane. Një gjeni në fushë e blertë gjatë kohës kur luante futboll, teksa në rolin e trajnerit po vazhdon të shkëlqejë.
Dy suksese radhazi në kompeticionin më të rëndësishëm në rang klubesh pa diskutim që janë edhe meritë e tij, ndërsa tashmë kërkon dhe trofeun e 3-të për të hyrë në histori.
Cristiano Ronaldo është udhërrëfyesi i një skuadre me fenomenë edhe atëherë kur ata nuk arrijnë dot të shkëlqejnë, si në sfidën ndaj Bayernit, marrin atë çka vlen më shumë, fitoren. Bavarezët mund të krenohen vetëm me faktin që portugezi nuk arriti dot t’u shënonte, sepse sulmuesi, që prej finales së Cardiffit kundër Juventusit kishte arritur të shënonte në çdo takim. Statistika që lënë vend për pak komente. Ronaldo qëndron mbi të gjithë.
Reali i Madridit ka në duar shansin e artë për të bërë atë që askush nuk e ka bërë më parë, të fitojë Championsin e tretë radhazi.



