Reali fiton garën me PSG-në për 22-vjeçarin që spikati në Ligue 1
Kampionët e Spanjës kanë arritur marrëveshjen me klubin francez Monaco për të nënshkruar me talentin Aurelien Tchouameni për shumën 85 milionë stërlina, pasi vetë mesfushori francez është i vendosur për t’u trasnfseruar te “Los Blancos”.
22-vjeçari është i destinuar të largohet nga klubi i Ligue 1 këtë verë, pas paraqitjeve fantastike gjatë gjithë sezonit. Ekipet që donin të merrnin 22-vjeçarin ishin të shumta. Kryesonin klubet më të mëdha europiane si Liverpooli, Manchester United dhe PSG.
Sipas “The Athletic”, Real Madridi ka fituar garën për nënshkrimin e tij dhe ka një “marrëveshje verbale” me Monacon për transferimin e mesfushorit francez.
Çdo gjë pritet të bëhet zyrtare vetëm pasi të mbyllen detajet e fundit sa i përket dokumentacionit të nevojshëm, për të bërë 22-vjeçarin zyrtarisht futbollist të Real Madrit.
Shuma prej 85 milionë stërlinash përfshin të gjitha detajet, duke nisur nga tarifa e transferimit, bonusin e nënshkrimit, tarifat e agjentëve dhe çdo shtesë tjetër.
“Sportsmail” raportoi të hënën se Reali i Madridit shpresonte të binte dakord për një tarifë transferimi prej rreth 68 milionë stërlinash, por pa arritur qëllimin fillestar.
Talenti francez Tchouameni e filloi karrierën e tij te ekipi i Bordeaux në Francë, më pas u transferua te Monaco në janarin e vitit 2020.
Në sezonin 2021-‘22, mesfushori bëri 50 paraqitje në të gjitha kompeticionet, ndërsa klubi i tij Monaco përfundoi i treti në Ligue 1 për sezonin e dytë radhazi. Ai debutoi me ekipin kombëtar të Francës në shtator dhe që atëherë numëron 10 paraqitje për “Les Bleus”.
Situata midis Realit dhe PSG-së duket e nxehtë mbas çështjes “Kylian Mbappe” ku ekipet kanë objektiva të përbashkët sa i përket merkatos, që pritet të ketë surpriza deri në fundin e saj.



