Kane ëndrra e Realit, por pëlqehet edhe bomberi zikaltër
Reali i Madridit duket se nuk është i kënaqur me rendimentin e Karim Benzema-së dhe është hedhur në kërkim të një tjetër sulmuesi. Pasi dështuan në verë të afrojnë Mbappe-në, madrilenët piketuan yllin e Tottenhamit, Harri Kane, por duket se rruga që të çon te ai, është e lodhshme dhe e kushtueshme.
Londinezët nuk duan të largojnë futbollistin e tyre kryesor, por edhe nëse e bëjnë, kërkojnë në këmbim një shumë të çmendur, të barabartë me atë që PSG-ja pagoi për të transferuar Neymarin. Pikërisht për këtë arsye, në kryeqytetin spanjoll kanë filluar të mendojnë për bomberin dhe kapitenin e Interit, Mauro Icardin.
Argjentinasi është një ‘vrasës’ në zonë dhe mbi të gjitha është vetëm 24 vjeçar, me të ardhme të ndritur. Aktualisht klauzola e largimit të tij është vetëm 110 milionë euro, ndërsa paga te zikaltrit është diçka më tepër se 5 milionë euro, të dyja këto, shifra lehtësisht të përballueshme nga buxheti madrilen.
Për më tepër, Icardi ka treguar se di të marrë përgjegjësi, pasi prej kohësh është kapiten te Interi, ndërsa është i martuar edhe me Wanda Narën, një modele mjaft e njohur, çka e bën argjentinasin, një element tërheqës edhe për marketingun.



