Reali i Madridit përpara pengesës Celta, tri pikët detyrim
Viti 2018 ka vetëm pak ditë që ka hyrë megjithatë në Spanjë skuadrat kanë rifituar shpejt ritmin, për shkak të zhvillimit të ndeshjeve të Kupës së Mbretit në mesjavë, sidoqoftë prej këtej deri në fund të sezonit nuk do të ketë më pushime, me përjashtim të një shkëputje të vogël në javën e fundit të muajit mars, periudhë që është rezervuar nga FIFA për takimet miqësore të skuadrave përfaqësuese. Të dielën në Primera Division luhen pesë ndeshje dhe takimi që spikat luhet në Vigo, në orën 20:45 ku Celta do të presë Realin e Madridit. Sezonin e kaluar kjo përballje u shty për muaj të tërë, prej problemeve që shkaktoi era e fortë në stadiumin Balaidos, gjithsesi në muajin maj kur ekipit “merengues” i nevojiteshin patjetër 3 pikët për të fituar titullin “Los Blancos” fituan pa kurrfarë problemi me rezultatin e thellë 4-1. Humbja e thellë me Barçën brenda në Santiago Bernabeu i la kampionët në fuqi plot 14 pikë prapa skuadrës blaugrana, megjithëse ekipi i Zinedine Zidane ka për të rikuperuar edhe ndeshjen e prapambetur me Leganes. Që pas suksesit me Gremion, në Abu Dhabi në Botërorin e klubeve, dueli me Barçën mbetet i vetmi për ekipin madrilen në ligën spanjolle në harkun e tre javëve, kështuqë trajneri francez ka rastin për të rreshtuar përballë skuadrës galiciane një formacion të shplodhur dhe pas periudhës festive krejtësisht të qetë edhe në aspektin psikologjik. Te Reali do të mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Sergio Ramos, Daniel Carvajal dhe Karim Benzema, sidoqoftë përpara Zizou do të mbështetet te treshja Ronaldo – Bale – Isco. Sulmi këtë herë pritet të reagojë, duke patur parasysh që golashënuesit më të mirë të Realit janë tre futbollistët Cristiano Ronaldo, Marco Asensio dhe Isco me vetëm katër gola gjithsej, për më tepër ekipi madrilen përfaqëson vetëm sulmin e katërt më të mirë të ligës, me 30 gola, praktikisht po aq sa ç’ka shënuar edhe skuadra e Unzue-s, gjithsesi “Los Blancos” duhet të bëjnë kujdes, pasi kanë fituar vetëm një nga tre përballjet e fundit me ekipin galician, për më tepër të enjten në mbrëmje po në Balaidos, Celta bllokoi në Kupën e Mbretit edhe Barçën me shifrat 1-1.



