Champions League

Reali nis mbrojtjen e titullit, në fushë edhe Juvja, United, City e Bayerni

Kampionët në fuqi fillojnë mbrojtjen e titullit në Champions League dhe rekordmenët e kompeticionit më të lavdishëm në glob, në rang klubesh, kanë privilegjin për të nisur aventurën e sivjetshme pikërisht në tempullin e madridizmit, “Santiago Bernabeu”, ku në orën 21:00 do të presin Romën.

Me 4 trofe në 5 edicionet e fundit pritshmëritë më të mëdha Reali pritet t’i ketë në Primera Division, pasi nga skuadra është larguar Cristiano Ronaldo, golashënuesi më i mirë në Champions, me plot 20 gola më tepër se Lionel Messi, ndërsa timonin në vend të francezit Zinedine Zidane e ka marrë ish-trajneri i përfaqësueses spanjolle Julen Lopetegui, sidoqoftë përballë qëndron klubi “verdhekuq”, që sezonin e kaluar shkoi deri në fazën gjysmëfinale, për më tepër sfidat italo – spanjolle mbeten të paparashikueshme dhe një gjë të tillë e konfirmon edhe fakti që klubi nga “Qyteti i Përjetshëm” i ka thyer “Los Blancos” dy herë në “Bernabeu” brenda mijëvjeçarit të ri.

Po në orën 21:00, në ndeshjen tjetër të vlefshme për Grupin G, në “Doosan Arena” të Plzenit Viktoria do të presë CSKA-në e Moskës, që paraqitet në Çeki me shumë probleme në formacion.

Një ndër skuadrat favorite për edicionin e 27-të në Champions është pa dyshim Juventusi. Klubi i famshëm italian ka humbur dy nga katër finalet e fundit në këtë aktivitet, megjithatë këtë herë drejtuesit janë optimist, pasi “Zonja e Vjetër” nuk do të ketë më kundër lojtarin më të mirë në botë të këtyre pesë viteve të fundit, Cristiano Ronaldo, që i hoqi ëndrrën e titullit në dy vitet e fundit në Champions klubit piemontez, përkundrazi CR7 i është bashkuar ekipit “bardhezi”, që, edhe ashtu siç ishte, përsëri konsiderohej si një ndër ekipet më të vështirë për t’u mposhtur.

Sezoni në “Kontinentin e Vjetër” për “armatën” e Allegrit fillon në “Mestalla”, përballë Valencias, që nuk e ka nisur aspak mirë sezonin, madje “Los Che” nuk e kanë provuar ende shijen e fitores në katër javët e para të kampionatit spanjoll.

Ndeshja tjetër e Grupit H luhet në Zvicër, ku Manchester United viziton në kryeqytetin helvet Young Boys-in. Jose Mourinho paraqitet në “Stade de Suisse” me artilerinë e rëndë dhe i vetmi problem për “Djajtë e Kuq” ndoshta vjen nga bari sintetik, ku do të zhvillohet takimi. Klubi tjetër i Manchester-it, City i Guardiolës, do të masë forcat në “Etihad” me Lionin, ndërsa dueli tjetër i Grupit F, Shakhtar – Hoffenheim, do të luhet në orën 18:55. Në të njëjtin orar Ajaxi do të duelojë në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit me AEK-un e Athinës, ndërkaq Grupi E kompletohet me ndeshjen që do të mbahet në “Da Luz” të Lisbonës, Benfica – Bayern, me klubin bavarez që nuk është thyer në asnjë nga katër përballjet që ka patur me “Shqiponjat” në tokën luzitane.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency