Rebelët e Superligës/ Real, Barcelona dhe Juventus “sfidojnë” UEFA-n në Amerikë
Projekti i Superligës Europiane si një kompeticion ku mund të merrnin pjesë klubet më të mëdha të Europës përfundoi pa nisur teksa UEFA kërcënoi klubet me gjoba dhe me përjashtim nga të gjithë kompeticionet e saj.
Madje, organi më i lartë qeverisës i futbollit europian ia bëri të ditur edhe futbollistëve se nëse do të luanin në Superligën Europiane, atëherë nuk do të mund të aktivizoheshin me kombëtaret përkatëse, ndaj, e gjithë zhurma e krijuar u shua shumë shpejt.
Mirëpo, klubet të cilat ishin iniciatore të Superligës si Real Madrid, Juventus dhe Barcelona ende kërkojnë të mbajnë gjallë idenë e kompeticionit të ri, ndërsa në verë këto klube kanë projektuar miqësore mes njëra-tjetrës në Amerikë.
Së fundmi, treshja po mundohet të bindë edhe Milanin t’iu bashkohet në turneun miqësor, ndërsa kërkojnë të fitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga shitja e biletave për të rikuperuar disi nga shpenzimet të cilat kanë rëndëuar shumë bilancet përkatëse, edhe prej pandemisë COVID-19.
Sakaq, brenda miqësoreve është edhe ideja për të përçuar një mesazh se sa tërheqës mund të jetë futbolli për tifozët në momentin kur klubet “BIG” përballen me njëra-tjetrën, teksa edhe të ardhurat do të ishin mjaft të majme.



