Refik Halili nuk humb kohë, “blindon” për sezonin e ardhshëm Torasën
Tirana kërkon të nisë një cikël suksesesh e për këtë qëllim përveçse të afrojë elementë cilësore dhe të perspektivës duhet të sigurojë vazhdimësinë edhe me ata lojtarë që kanë pasur rol kyç në fitimin e titullit kampion. Presidenti Refil Halili, në orët e vona të së hënës, ka arritur marrëveshjen për zgjatjen e bashkëpunimit me argjentinasin Agustin Torasa. Në njoftimin e klubit bardheblu shkruhet se “lojtari ka arritur dakordësinë me klubin për zgjatjen e kontratës. Mesfushori me tipare sulmuesi është vlerësuar nga klubi për kontributin që ka dhënë në ndeshjet e luajtura dhe do të mbajë veshur fanellën bardheblu edhe në sezonin e ri.”
31-vjeçari gjatë këtij sezoni, që ende nuk është mbyllur, është aktivizuar në 25 ndeshje të Superiores, duke shënuar 6 gola. Një statistike shumë e mirë për një mesfushor, çka tregon impaktin e tij në lojën sulmuese të bardhebluve.




