Rekordi unik i Van Dijk, Liverpool i pathyeshëm në “Anfield” me të në fushë
Virgil Van Dijk është një nga mbrojtësit më të fortë në planet. Holandezi qëndroi jashtë fushave 255 ditë si pasojë e dëmtimit në derbin e tetorit të vitit 2020 me Evertonin. Gjithsesi, 30-vjeçari është rikthyer më i fortë dhe Jurgen Klopp është më i qetë e i sigurt në lidhje me prapavijën.
“The Reds” po kalojnë një moment fantastik dhe ndodhen në garë në të gjithë kompeticionet. Liverpool fitoi Kupën e Ligës, po garon për titullin kampion (-3 nga City), është kualifikuar në çerekfinalet e FA Cup dhe është pothuajse në çerekfinalet e Champions League pas fitores 0-2 ndaj Interit në ndeshjen e parë.

Rikthehemi te Virgil Van Dijk, i cili ka vendosur një rekord të bukur gjatë fitores së ditës së shtunë kundër West Ham në kampionat, 1-0 me golin e Sadio Mane. Kur luan ai, Liverpool nuk humbet asnjëherë në “Anfield” në kampionat.
60 ndeshje ka zhvilluar Van Dijk me skuadrën e kuqe në stadiumin mitik, nga të cilat numëron 52 fitore dhe 8 barazime. Shifra të jashtëzakonshme që nuk i ka arritur asnjë lojtar me një klub të vetëm në përballjet shtëpiake në kampionatin anglez.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



