Renditja e asistuesve, “kampioni” i përket Bylisit
Ndonjëherë vëmendjen e marrin gjithmonë lojtarët që shënojnë gol, duke lënë në hije ata të cilët japin pasimin e fundit dhe pa vizionin e të cilëve në jo pak raste nuk do të kishim finalzim për në rrjetë. Nëse në garën për “Këpucën e Artë” kemi të shkëputur për momentin sulmuesin e Laçit, Nwabueze, në garën për futbollistin asist ka më shumë rivalitet dhe mbi të gjitha dyshifrori nuk është arritur ende.
Pak a shumë, ekipet që shënojnë më tepër janë dhe ato që shpeshherë kanë dhe futbollistët që dhurojnë më tepër topa të shfrytëzueshëm në zonë për sulmuesit. Kështu, në një renditje speciale të shërbyesve më të mirë në Superiore, ai që kryeson i vetëm është Murataj i Bylisit, që nuk ka kontribuar vetëm me 2 gola, por gjithashtu ka dhuruar në total dhe 6 asiste në pjesën e parë të sezonit në Superiore dhe Guindo me shokë, një pjesë të mirë të golave të realizuar duhet t’ia dedikojnë pikërisht atij.
Në vendin e dytë të podit qëndrojnë plot katër lojtarë, duke nisur nga Abazaj i Kukësit, që numëron 5 asiste, një më tepër se ka numrin e golave të shënuar, ndërkohë që dhe Ngoo i Tiranës, nga i cili priten më shumë gola, nuk është kursyer në pasime për gol, duke dhuruar plot 5 të tillë, po aq dhe kolegu i tij i skuadrës Cale, apo dhe Trashi i Partizanit, që, dhe pse është një mbrojtës, tregon se mbetet një prej lojtarëve më produktivë për të dhuruar pasimin e fundit të saktë.
Ata që kompletojnë podin me vendin e 3-të janë, Peposhi i Bylisit dhe Teco i laçit, që kanë dërguar në rrjetë plot katër herë kolegët e tyre, ndërsa me 3 asiste janë gjithashtu dhe Gavazaj, Nwabueze, Shehu i Laçit dhe Gripshi i Skënderbeut.



