Renditja e FIFA-s, Shqipëria humbet 2 vende, katapultohet Kosova
Dy humbjet në miqësoret e fundit me Kosovën dhe Ukrainën i kanë kushtuar Shqipërisë dy pozicione minus në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Kuqëzinjtë kanë rrëshkitur në vendin e 58-të, duke u parakaluar nga ekipe të tilla si Sllovenia dhe Koreja e Jugut. Pritej një lëvizje e tillë në këtë klasifikim pas zhgënjimit të skuadra e Panuccit, që i mbylli testet me një golaverazh të frikshëm negative 1 gol i shënuar dhe 7 të pësuar.

Nga ana tjetër buzëqesh Kosova, që fitoi plot 11 pozicione vetëm falë fitores 3-0 me në vëllazëroren me Shqipërinë. “Dardanët” fituan shumë pikë për faktin se Shqipëria ishte një kundërshtare shumë më e fortë ne letër. Skuadra e drejtuar nga Challandes aktualisht është e 141-ta, nga e 152-ta që ishte një muaj më parë.

Thuajse ruhet statuskuoja sa u përket 10 skuadrave më të mira në botë. Vazhdon të kryesojë Gjermania, e ndjekur nga Brazili, Belgjika, Portugalia dhe Argjentina. Ndryshimi i vetëm është rrëshkitja e Spanjës në vendin e 10-të, duke këmbyer vendet me Poloninë që ngjitet e 8-ta.




