Rezultat i barabartë, por humore të ndryshme; Gjici e Demi: Gara për titull, ende e hapur
Në përfundim të takimit mes Kukësit dhe Partizanit, që u mbyll në barazim 1-1, para mikrofonave të Supersport u ndalën edhe dy presidentët e skuadrave, Safet Gjici i verilindorëve dhe Gazmend Demi i kryeqytetasve.
Rezultati ishte i barabartë, por njëri prej presidentëve ishte i lumtur dhe tjetri i zhgënjyer, ndërsa të dy pranuan se gara për titull është ende e hapur.
Gazmend Demi: Të jem korrekt, e meritonim fitoren, por edhe barazimi ishte shumë i mirë për ne. U bë lojë e bukur dhe ekipi luajti më mirë, ndaj jam i kënaqur me atë që pashë dhe morëm. Titullin nuk e kemi fituar akoma matematikisht, ndaj duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë.
Safet Gjici: Ishte një ndeshje e bukur, ku merituam fitoren, por ai Cuculi gaboi shumë rëndë. Më pas nuk e di a ishte penallti ,pasi duhet ta shoh, por këto të Partizanit i kanë qejf penalltitë. Matematika na lejon të shpresojmë te titulli, ndaj do luajmë deri në fund për fitore dhe të shohim si do shkojnë punët.



