Rikthehet dashuria, Juventusi me propozim të ri për Dybalan
Mes Juventus dhe Paulo Dybalas është rikthyer humori. Argjentinasi rikthehet sërish në qendër të projektit të bardhezinjve. Pas një viti jo shumë të mirë, Dybala ka krijuar sërish bindjen që ai është një element tepër i rëndësishëm i sulmit të “Zonjës së Vjetër”. Rinovimi i kontratës së argjentinasit nuk është më në termat e diskutimit, por ka hyrë në një fazë konkrete. Sulmuesi do të përfitojë nga marrëveshja e re plot 10 milionë euro në sezon, plus bonuset.
Numri 10 i bardhezinjve tashmë është me pushime dhe pret vetëm një telefonatë në mënyrë që menaxheri i tij të mbyllë gjithçka me drejtuesit e klubit. Rikthimi i Massimiliano Allegrit në krye të stolit të “Zonjës së Vjetër” ka qenë thelbësor në lidhje me të ardhmen e Paulo Dybala, teksa viti më i mirë i argjentinasit si bardhezi është sezoni 2017-18, ku gjeti 26 herë rrugën e rrjetës.
Sezoni që lamë pas e gjeti Dybalan në të shumtën e ndeshjeve të dëmtuar ose në stol. Tashmë ka ardhur momenti për të rinisur gjithçka nga e para, me një pagë shumë më të lartë.



