Rikthehet qetësia te Vllaznia, por në Vlorë nuk lejohet humbja
Suksesi i Vllaznisë ndaj Laçit është jetik jo vetëm përsa i përket ndryshimit të pozicionit në renditje, por mbi të gjitha për të qetësuar ambientin kuqeblu. Dy humbjet radhazi me Teutën dhe Luftëtarin kishin rikthyer zymtësinë në Shkodër, madje java përpara duelit me kurbinasit u shoqërua me mbledhje të shumta të stafit drejtues me skuadrën.
Reagimi erdhi në 90-minutëshin që nxori përkohësisht shkodranët nga zona e rënies. Lajmi mirë për trajnerin Ernest Gjoka është se porta qëndroi e pacënuar pasi kishte pësuar 4 gola në dy ndeshje radhazi. Me suksesin e arkivuar vëmendja shkon tek ndeshjet e radhës, pasi fitorja ndaj Laçit nuk ka vlerë nëse Vllaznia i rikthehet humbjeve.
Sëmundja e shkodranëve vijon të jetë pasaktësia përpara portës pasi rastet e krijuara janë të shumta po ashtu si dhe gabimet. Në horizont është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi në Vlorë dështimi nuk lejohet, do të konsiderohej një hap prapa në renditje dhe qëndrimi në elitë do të vihej në diskutim.
Vllaznia shkon me grupin e plotë dhe në një gjendje të përmirësuar në aspektin psikologjik, edhe pse qetësia përfundimtare mund të arrihet me përmbushjen e objektivit.



