Kategoria Superiore

Rikthim “i hidhur” i Tiranës, Plaku i kujton se është në Superligë

Tirana u rikthye të garojë aty ku e ka vendin, mes më të mirave të futbollit shqiptar, por hasi në një “mikpritje të hidhur” që në startin e Kategorisë Superiore.

Në “Selman Stërmasi” u luajt një ndeshje deri diku e barabartë dhe bardheblutë ashtu siç humbën, edhe mund të kishin fituar apo barazuar, por goli i Plakut pak minuta larg fundit të takimit, u kujtoi djemve të Ze Marias, se tashmë nuk janë në Kategorinë e Parë.

Vetë trajneri brazilian, përtej euforisë së mediave sportive dhe tifozërisë, kishte bërë thirrje për kujdes dhe kishte theksuar se skuadra nuk është ende e plotë dhe e gatshme për të synuar objektiva madhorë.

Ndeshja me Kamzën i dha të drejtë Ze Marias, që pati thënë se në skuadër janë afruar shumë lojtarë të rinj dhe në stërvitje futbollistët janë ngarkuar shumë fizikisht, ndaj do të duhet të pritet java e tretë, për të parë Tiranën e vërtetë.

Po kështu, tekniku brazilian kishte kërkuar me ngulm afrimin e një sulmuesi, pasi me N’Goo të dëmtuar, bardheblutë nuk kanë një pikë referimi në majë të ofensivës dhe kjo u pa qartë edhe dje ndaj Kamzës, ku volumi i lojës së krijuar nga Tirana, nuk arrinte të përkthehej në raste të rrezikshme shënimi.

Edhe dëmtimi i Likës është një shqetësim më vete për bardheblutë, sepse pavarësisht paraqitjes mjaft të mirë të të riut Abibi, veterani i katërkëndorit jep tjetër qetësi dhe siguri, kur është mes shtyllave të portës.

Merkatoja ende nuk ka përfunduar dhe Ze Maria ka lënë të kuptohet se pret ende ndonjë dhuratë nga ana e klubit, veçanërisht në sulm, ku do të kompensohet mungesa e N’Goo dhe do të vinin disa gola më shumë në javët e ardhshme.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency