“Rikthimi te Roma? Muhabete kafenesh”, mesfushori i mbyll dyert ish-klubit
Roma është detyruar të rikthehet në merkato për të zëvendësuar Wijnaldum. Mesfushori holandez i transferuar këtë verë te verdhekuqtë pësoi një dëmtim të rëndë në stërvitje me kryeqytetasit dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. Ndaj, trajneri Jose Mourinho është duke studiuar mundësitë e tregut në mënyrë që të shtojë alternativat në mesfushë.
Së fundmi, në media u përfol për një rikthim të Radja Nainggolan te verdhekuqtë, madje sipas shtypit sportive, vetë mesfushori i ishte ofruar Romës. Megjithatë, Nainggolan që tashmë është pjesë e Antëerp në Belgjikë, ka theksuar se nuk ka asnjë të vërtetë rreth rikthimit të tij në Itali dhe se bëhet fjalë për muhabete kafenesh.
“Romën unë e dua shumë dhe ai qytet po ashtu më vlerëson shumë edhe mua. Jam i lumtur për atë që kam arritur te Roma, tani atyre iu është dëmtuar një mesfushor që e transferuan këtë merkato dhe ndonjë tifozi i ka shkuar në mendje që unë mund të isha zëvendësuesi i duhur.
Këto thashetheme u përhapën shpejt, por nuk ka asgjë të vërtetë. E di që tifozëve do t’iu pëlqente një rikthim i imi, edhe mua do të më pëlqente, por në fund bëhet fjalë për thjesht thashetheme kafenesh”, u shpreh Nainggolan.



