Ringritja e frikshme e Kukësit, verilindorët sinjal të fortë rivalëve
Tri javë kampionat, asnjë fitore, dy humbje dhe asnjë gol i shënuar. Edhe pse ishte vetëm fillimi i kampionatit, për disa u duk që në atë moment një projekti i dështuar i këtij Kukësi me “make-up”-in e ribërë me themel. Mjaftuan 4 ndeshje, 4 fitore radhazi që “make-up”-i më në fund t’ia zbukuronte fytyrën skuadrës blu.
Patrick Friday Eze, nga një afrikan i zakonshëm, që vjen në Shqipëri për të kërkuar fatin dhe nuk ka aq shumë aftësi, që tani të ngjan me Drogbanë, të kuptohemi në miniaturë. Agim Ibraimi është ai që prisnim të ishte, një lojtar më përvojë, me klas, me finesë, i aftë për ta udhëhequr skuadrën, për të qenë jo thjesht lojtari me më shumë cilësi, por edhe lojtari me më shumë karakter. Jo më kot mban numrin 10, që është gjithnjë unik dhe ka edhe shiritin me ngjyrë të verdhë të kapitenit. Goli kundër Bylisit ishte një “volley”, i denjë për skenat e mëdha të futbollit europian, aty ku 32-vjeçari ka luajtur me fanellën e Mariborit e Cagliarit.
Bytyci në mbrojtje po kthehet në garanci, edhe pse është vetëm 19 vjeç, teksa mesfusha është e plotësuar nga futbollistë si Vesel Limaj e Gjelbrim Taipi. Kukësi në aspektin individual është skuadër me më shumë kualitet e kampionatit, duhej një “usta” për ta kolauduar dhe duket se këtë po e bën tashmë Skënder Gega.
Blutë pas tani janë në vendin e dytë me 13 pikë, tri më pak se Vllaznia kryesuese, dhe në harkun e katër ndeshjeve nga sulmi më pak prodhues Kukësi sot ka sulmin e 3-të më të mirë dhe mbrojtjen e 4-t, së bashku me Vllazninë e Laçin. Edhe pse kanë pak kohë që njihen me njëri-tjetrin, lojtarët kanë formuar një grup solid, brenda dhe jashtë fushës, kjo e dyta edhe më e rëndësishme…



