Rinovim në shtëpinë e kampionëve, Tirana nuk e “lëshon” mbrojtësin
Tirana ka rinisur punën për sezonin e ri teksa bardheblutë tashmë mendojnë për ndeshjen në raundin e parë të Champions League. Kryeqytetasit zyrtarizuan edhe afrimin e parë në merkato e tashmë pjesë e organikës së kampionëve të Shqipërisë është edhe Albano Aleksi i transferuar nga Teuta.
Megjithatë, në shtëpinë e bardhebluve prioritet kanë edhe lojtarët që mbyllën sezonin e kaluar dhe u konfirmuan të rëndësishëm në rrugën drejt titullit. Kështu, pas rinovimit me Filip Najdovskin, Tirana ka zyrtarizuar së fundmi edhe kontratën e re me maqedonasin tjetër të skuadrës Kristijan Tosevski.
Ky i fundit do të jetë pjesë e Tiranës edhe për një sezon ndërsa ka qenë vetë klubi bardheblu që ka konfirmuar rinovimin me mbrojtësin nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare. 28-vjeçari u aktivizua në 31 ndeshje të sezonit të kaluar duke qenë një garanci për linjën e djathtë të trajnerit Orges Shehi ndërsa do të vazhdojë të kontribuojë për ekipin e Tiranës.




