Risi me grumbullimet te Spanja, zbuloni gjestin e Luis Enriques!
Risi ne prezantimin e listës të kombëtares së Spanjës për miqësoren kundër Uellsit dhe ndeshjen e UEFA Nations League kundër Anglisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për listën e lojtarëve, por edhe për mënyrën se si tranjeri Luis Enrique ka bërë të ditur 23 futbollistët e thirrur. Ish-tekniku i Barcelonës ka varur në dhomat e zhveshjes një nga një, fanellat e lojtarëve që ai ka vendosur të thërrasë për këto takime. Kjo mënyrë mjaft origjinale është pëlqyer shumë nga tifozët iberikë, të cilët shpresojnë se mund të arrijnë sukseset e dikurshme, nën drejtimin e ish-mesfushorit të Realit e Barçës.
Surprizat nuk kanë munguar as tek lojtarët e grumbulluar. Enrique ka vendosur të lërë sërish jashtë mbrojtësin e majtë të katalanasve, Jordi Alba, ndërkohë që me fanellën e Spanjës pritet të debutojë mbrojtësi i djathtë i Wolverhampton, Jonny Otto, i huazuar nga Atletico e Madridit. Një tjetër futbollist i lënë jashtë është Diego Costa. Braziliani i natyralizuar me pasaportë spanjolle nuk po kalon një moment të mirë, pasi ka shënuar vetëm 1 gol në këtë sezon. Në vend të tij është grumbulluar Paco Alcacer, që ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit me Borussian e Dortmundit. Tek “La Furia Roja” janë rikthyer gjithashtu Marc Bartra dhe mesfushori i Atlecicos, Koke, i cili mungonte që nga Botërori i Rusisë. Mbetet për tu parë nëse Spanja do të vazhdojë formën e mirë edhe në ndeshjet e rradhës, pas suksesit 1-2 me Anglinë në Wembley e fitores tenistike 6-0 kundër Kroacisë.



