Risia e FSHF-së/ Nga sezoni i ardhshëm auto-arbitrim për ndeshjet e moshave U-7, U-9 dhe U-11
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që nga sezoni 2021-2022 ndeshjet e kampionateve të moshave U-7, U-9 dhe U-11 vjeç të mos drejtohen nga arbitra.
Në kuadër të një projekti të bazuar edhe në praktikën ndërkombëtare do të nisë auto-arbitrimi, që nënkupton se ndeshjet e këtyre moshave do të arbitrohen nga vetë trajnerët e skuadrave.
Gjithashtu, objektivi është që futbollistët të bëhen të vetëdijshëm se sa i vështirë dhe kompleks është roli i arbitrit si edhe të rritet niveli kulturor i trajnerëve në lidhje me rregulloren.
Në këtë mënyrë trajnerët do të përdorin mundësinë për të arbitruar e për të mësuar të rinjtë me sensin e rregullave si edhe të kuptojnë se arbitri në sektorët e fëmijëve ka jo vetëm një funksion penalizues por edhe edukues dhe trajnues.



