“Roma apo Interi?”, Mkhitaryan ndan mendjen për të ardhmen
Henrikh Mkhitaryan e mbyll me Romën. Fantazisti armen ka refuzuar ofertën e verdhekuqve për rinovim, duke iu përgjigjur pasditen e sotme ultimatumit 2-ditor të klubit kryeqytetas, pasi duket se ka zgjedhur Interin për të vijuar karrierën.
Kontrata e Mkhitaryan me Romën skadonte në fund të këtij sezoni dhe armeni u kontaktua menjëherë nga Interi, që i ofroi një marrëveshje 2-vjeçare, me pagë 3.6 milionë euro në sezon, plus bonuse.
Në të njëjtën kohë, edhe Roma i bëri një ofertë konkrete armenit për të rinovuar, teksa i dha edhe një ultimatum prej 48 orësh për të kthyer një përgjigje.
Ultimatumi skadonte pikërisht mbrëmjen e sotme, megjithatë Mkhitaryan ka dërguar tashmë email-in e tij në klubin verdhekuq, duke e njoftuar se sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më pjesë e Romës.
Ndërkohë mediat në Itali raportojnë se armeni i ka dhënë fjalën Marottës për t’u transferuar te Interi dhe gjasat janë që zyrtarizimi te zikaltrit të vijë brenda pak ditësh.



