Roma e Mourinhos, “frikë” temperaturat e ulëta, Tottenhami para rrezikut Vitesse
Pas 32 ndeshjeve të para të fazës së grupeve në mënyrë të padiskutueshme është Roma skuadra që ka bërë më mirë në Ligën e Konferencës, sidoqoftë verdhekuqtë këtë herë i pret një takim tepër impenjativ, në veri të Kontinentit të Vjetër, ku futbollistët e Jose Mourinhos duhet të përgatiten për të luajtur në temperatura shumë të ulëta kundër Bodo/Glimt.
Deri tani verdhekuqtë krenohen thjesht me trofeun e fituar në 1961 e largët, kur lojtarët e klubit kryeqytetas mposhtën në dy finalet e Kupës së Panaireve me rezultatin e përgjithshëm 4-2 klubin anglez të Birmingham City-t, gjithsesi objektivi kryesor për trajnerin e famshëm portugez është pikërisht fitimi i këtij trofeu, arritje që do ta barazonte 58-vjeçarin luzitan në kuotën 5, në krye të listës së trajnerëve më të suksesshëm në historinë e Kupave të Evropës me të madhin Giovanni Trapattoni, që vite më parë ia doli mbanë për të fituar gjithçka, qoftë si futbollist ashtu edhe si trajner.
Falë vendit të shtatë, që siguruan edicionin e kaluar në Serinë A, verdhekuqtë bëjnë pjesë në një aktivitet si Liga e Konferencës dhe në Grupin C pasi mposhti fillimisht 5-1 në Olimpico CSKA e Sofies Roma ia doli për të triumfuar gjithashtu edhe në Ukrainë me shifrat 3-0 ndaj Zoryas së Luhanskut.
Natyrisht është akoma shumë herët për të bërë parashikime, për më tepër në muajin shkurt në skenë do të dalin edhe 8 ekipet që do të vijnë nga vendet e treta të Europa League-s, sidoqoftë duke parë impenjimin dhe seriozitetin e deritanishëm të verdhekuqve dhe trajnerit të mirënjohur portugez “bookmakers”-at kanë ulur kuotat e tyre, duke renditur pikërisht Romën si skuadrën favorite për të triumfuar në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, në finalen e madhe të muajit maj.
Roma pra kryeson grupin me pikë të plota dhe me golaverazhin 8-1, e në mënyrë të kuptueshme pritet që Jose Mourinho të ruajë një pjesë të lojtarëve, për shkak të “Derbit të Jugut”, apo klasikes së futbollit italian me skuadrën e Napolit, që do të luhet vetëm tri ditë pas duelit në Norvegji.
Ekipi I Bodo/Glimt, që përfaqëson qytetin e Bodos, me një popullsi prej vetëm 52.000 banorësh, pozicionohet në vendin e dytë, në kuotën e katër pikëve, pas fitores 3-1 me Zoryan, në shtëpi, dhe barazimit pa gola me CSKA në “Stadiumin Kombëtar Vasil Levski” të Sofjes. Bodo/Glimt përfaqëson klubin e dytë më të pasur në vend, pas Moldes dhe tetë javë para fundit verdhezinjtë kryesojnë kampionatin norvegjez me 3 pikë më shumë kundrejt skuadrës së Moldes.
Nga skuadrat italiane forcën e klubit nordik e provoi gjithashtu edhe ekipi i Milanit, që edicionin e kaluar mezi fitoi 3-2 brenda në stadiumin “Giuseppe Meazza”, në takimin kualifikues përpara fazës play off, në Europa League.
Ndeshja Bodo/Glimt – Roma do të luhet në orën 18:45, në “Aspmyra Stadion”, impiant që mban mbi shpatulla vetëm 5.635 spektatorë gjithsej, pra afërsisht 13 herë më pak nga ç’ka kapacitetin e plotë stadiumi “Olimpico” i Romës.
Roma për momentin mban vendin e 13-të në klasifikimin e UEFA-s për klube, renditje ku Tottenham Hotspur aktualisht pozicionohet në vendin e 15-të. Pikërisht “gjelat” kuotohen si klubi I dytë favorit menjëherë pas Romës, për të triumfuar në edicionin e parë të Ligës së Konferencës. “Spurs”-at duket sikur e kaluan krizën e përkohshme të muajit shtator, me tri fitore radhazi ndaj kundërshtarëve si Mura, Aston Villa dhe Newcastle United, gjithsesi ekipi londinez ka fatin e keq që bën pjesë në grupin absolutisht më të vështirë të edicionit hapës të UEFA Conference League. Në Grupin G bashkë me skuadrën e drejtuar nga Nuno Espirito Santo dhe ekipin slloven të Muras bëjnë pjesë edhe kundërshtarë si Rennes dhe Vitesse.
Spurs dhe Rennes kryesojnë në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Vitesse ndjek me një pikë më pak. Vitesse e ka nisur mirë kampionatin holandez, teksa pozicionohet në vendin e gjashtë në Eredivisie pas 9 javëve të para, me 6 pikë më pak se sa kampionët në fuqi të Ajaksit, ndërsa Tottenhami renditet në vendin e pestë në Premier League, pas tetë ndeshjeve, me vetëm 4 pikë më pak se kryesuesit e Chelsea-t.
Nuno duhet të mendojë natyrisht edhe për derbin e zjarrtë londinez të ditës së dielë ndaj “çekanëve” të West Ham-it, gjithsesi ekipit I nevojitet patjetër rezultat në Arnhem, duke pasur parasysh që klubet që pozicionohen në vendin e dytë luajnë më pas një tur më shumë, pasi përballen në fazën e “knock out”-it pikërisht me ekipet që vijnë nga vendet e treta të fazës së grupeve të Europa League-s.
Në shtëpi skuadra holandeze është mposhtur 2-1 nga Stade Rennais, ndërkohë edhe “Spurs” barazimin e vetëm e kanë regjistruar pikërisht ndaj kuqezinjve të Renit, jashtë fushe me shifrat 2-2. Dy klubet përballen për herë të parë ndërmjet tyre dhe takimi Vitesse – Tottenham do të luhet në orën 18:45 në stadiumin “GelreDome” të Qytetit të Arnhemit.



