Roma “ngre stekën” me Mourinhon, kush largohet dhe kush konfirmohet
Pa u shuar ende buja e emërimit të Jose Mourinhos në pankinën e Romës, mediat italiane kanë nisur të nxjerrin emrat e atyre futbollistëve që do të konfirmohen te verdhekuqtë dhe të tjerëve që po bëjnë gati valixhet, pasi pritet të ndryshojë edhe skema nga 3-4-3 në 4-2-3-1.
Kështu në portë asnjë prej alternativave nuk bindin Mourinhon, që ka vënë si prioritet afrimin e argjentinasit të Udineses, Juan Musso, ndërsa alternativa me kosto të ulët janë Rui Patricio i Wolves dhe Sa i Olympiacos.
Në mbrojtje pritet të konfirmohen Ibanez, Kumbulla, Mancini, Spinnazzola e Karsdorp, ndërsa emra si Juan Jesus, Fazio, Smalling apo Santon janë në listën e atyre që duhet të kërkojnë një tjetër skuadër. Një nga emrat që Mourinho ka kërkuar te verdhekuqtë, është ai i mbrojtësit të Tottenhamit, Eric Dier, teka pritet të vijnë edhe dy anësorë me eksperiencë.
Mesfusha është reparti që pritet të preket më pak në grupin aktual, pasi Pellegrini e Veretout do të jenë baza e formacionit, pa harruar edhe Villar e Diawara, dy emra që pëlqehen shumë nga Mourinho. Gjithashtu afrimi i portugezit është lajm i mirë edhe për Nicolo Zaniolon, që tani do të ketë mundësi të luajë në rolin e tij të preferuar, atë të fantazistit.
Sa i përket sulmit, janë rritur shanset për qëndrim të Edin Dzekos, të cilin Mourinho e sheh si lojtarin ideal për të udhëhequr repartin, ndërsa nga krahët për momentin shpëtojnë vetëm El Sharawi e Pedro, të cilët dinë të bëjnë mirë rolin e anësorit. Me valixhe gati për t’u larguar janë Mkhitaryan e Carlos Perez, pasi anjëri prej tyre nuk ofron atë që do portugezi prej një sulmuesi anësor.
Gjithsesi ajo që mund të thuhet me siguri, është që vera ka për të qenë vërtetë e nxehtë në Romë, pasi verdhekuqtë kanë ngritur ndjeshëm stekën me uljen e Jose Mourinhos në pankinë.



