Roma një hap larg firmës me mesfushorin kolumbian
Trajneri i Romës Eusebio Di Francesco është ankuar vazhdimisht për numrin e paktë të mesfushorëve qendrorë në dispozicion, veçanërisht pas largimit të Nainggolan dhe Strootman, që u shoqërua edhe me dëmtimin e kapitenit De Rossi.
Drejtuesit e skuadrës megjithatë kanë ndërhyrë menjëherë në merkato dhe tani janë vetëm një hap larg transferimit në kryeqytetin italian të mesfushorit kolumbian të Boca Juniorsit Wilmer Barrios.
Ky i fundit ishte një protagonist i jashtëzakonshëm për argjentinasit në Kupën e Libertadores, trofe të cilin Boca Juniors e humbi vetëm në finale përballë rivalëve të kryeqytetit argjentinas, River Plate.
Barrios njihet si një luftëtar në mesin e fushës, që është gjithmonë në vendin e duhur për të dyluftuar dhe për të rikuperuar topa, por specialistët evidentojnë edhe aftësi të futbollistit për të avancuar me topin në këmbë.
Pikërisht për këto cilësi, drejtuesit e Romës shohin te kolumbiani pasuesin e denjë të Daniele De Rossit, kur ky i fundit të tërhiqet nga futbolli, por edhe një futbollist të gatshëm për të luajtur menjëherë në formacion.
Oferta e Romës është ajo e huazimit për 18 muaj, kundrejt 5 milionë eurove dhe detyrim blerjeje nëse Barrios do të luajë një numër të caktuar ndeshjesh, për shumën e 16 milionë eurove, për të plotësuar një operacion total prej 21 milionë eurosh, aq sa kërkon edhe klubi argjentinas.
Palët janë shumë pranë dhe nga ora në orë, pritet të vijë edhe zyrtarizimi i kolumbianit me skuadrën e tij të re, Romën e Di Francescos, ku e pret një fanellë titullari në krah të francezit Nzonzi.



