Featured

Ronald dhe Frank De Boer, binjakët e Futbollit Total që pushtuan Evropën

Nga dominimi i pamëshirshëm i motrave Williams në turnetë “Grand Slam”, deri te zënkat e vëllezërve këngëtarë Gallagher, ka pak gjëra në jetë që mund t’i tërheqin më shumë masat se sa pamja e dy vëllezërve apo motrave që shkëlqejnë së bashku në të njëjtën “mbretëri”. Në këtë kuptim, futbolli nuk bën përjashtim.

Në këtë rast, nuk po i referohemi shkëlqimit të vëllezërve heronj të Kupës së Botës së Anglisë, Bobby dhe Jack Charlton, apo elegancës së magjistarëve danezë, Brian dhe Michael Laudrup. Historia e lojës së bukur është ndriçuar shpesh nga vëllezërit që u rritën së bashku përpara se të vijonin të ndarë në rrugët e tyre.

Megjithatë, ka pak në panteonin e futbollit të vëllezërve, rrugët e të cilëve drejt lavdisë ishin aq të ndërthurura sa ato të Ronald dhe Frank de Boer.

I madhi i dy vëllezërve (me dhjetë minuta), Ronald, ishte lojtari i gjithanshëm i lojës. Përzierja e vizionit, driblimit dhe shënimit të golave ​​e lejoi atë të shkëlqente në disa role (sulmuese) si për klubin, ashtu edhe për kombëtaren. Frank, nga ana tjetër, ishte një mbrojtës elegant, i zhytur në traditën e “Futbollit Total”.

Më i riu nga vëllezërit De Boer do ta fillonte karrierën e tij si mbrojtës i majtë, përpara se të zhvillohej në një “center-back”, që luan topin. Kombinimi i lidershipit, finesës dhe aftësisë së lojës në grup ishte një cilësi e tij që e rreshton krah emrave të tjerë të mëdhenj të futbollit holandez si Frank Rijkaard dhe Ronald Koeman.

Gjatë karrierës së tyre prej dy dekadash si lojtarë, vëllezërit holandezë erdhën, panë dhe pushtuan në shumë vende në të gjithë Evropën. Gjithmonë “komplotonin” për të përfunduar në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë.

Udhëtimi i tyre do të fillonte në mjedisin piktoresk të Hoorn-it, një qytet i vogël, por historik, 22 milje në veri të Amsterdamit. Të lindur më 15 maj 1970, Ronaldus dhe Franciscus De Boer ishin të fiksuar pas futbollit që në ditën e parë. Duke trashëguar pasionin e tyre nga babai Kees, sulmet e para të binjakëve në lojën e bukur do të ndodhnin në moshën dyvjeçare, duk shpalosur aftësitë e tyre në kufijtë e papërshtatshëm të dhomës së ndenjes.

Nëse vëllezërit kishin talent të çmuar, kjo nuk do të mund të dallohej duke parë mobiljet. Për vite të tëra, binjakët e stresuan nënën e tyre Git, teksa goditjet e pakontrolluara thyenin stolitë. Ronald do të kujtonte për “Daily Record”: “Mobilja përgjatë murit ishte mbi katër këmbë druri, kështu që kishte hapësirë ​​poshtë. Kjo ishte porta në dhomën e ndenjes. Mamaja ime ka folur shpesh për të gjitha gjërat që kemi thyer.’’

Vëllezërit De Boer e kishin kthyer dhomën e ndenjes me kufijtë më konvencionalë të fushës së futbollit. Sapo nisën karrierën e tyre (si fëmijë) në klubin lokal VV De Zouaven, në moshën shtatëvjeçare, vëllezërit filluan shpejt të dalloheshin nga turma. Me të dy nivelet e aftësive teknike përtej moshës të tyre, nuk do të kalonte shumë kohë përpara se të vinin gjigantët (Ajax) holandezë të lojës.

Momenti më i rëndësishëm i karrierës së vëllezerve De Boer do të ndodhte në vitin 1984, kur dyshja u rekrutua nga akademia e Ajaxit. Në akademinë e famshme të klubit me qendër në Amsterdam po rritej një grup futbollistësh të rinj, që do të zhvendosnin pllakat tektonike të lojës evropiane në vitet ’90, ndërkohë që do të formonin gjithashtu bërthamën e ekipit të fundit të madh “portokalli” deri më sot.

Gjatë dekadës së ardhshme, një bollëk talentesh vendase, duke përfshirë Dennis Bergkamp, ​​Clarence Seedorf, Edgar Davids dhe Patrick Kluivert, do të dilnin nga ekipi i të rinjve dhe do të hapnin një epokë të re të artë për klubin.

Ndonëse ndikimi monumental i Johan Cruyff nuk mund të nënvlerësohet – Cruyff ishte trajner i Ajaxit midis viteve 1985 dhe 1988 dhe e bëri Ronaldin të debutonte me ekipin e parë – binjakët do të ishin nën drejtimin e armikut të vjetër të njeriut të madh (Cruyff), Louis van Gaal.

Pasi u shit te Twente në vitin 1991, Ronald do të kthehej tek Ajax 18 muaj më vonë për t’u bashkuar me binjakun e tij në skuadrën që po shkëlqente nën autoritetin e Van Gaalit. Gjatë tri sezoneve të ardhshme, vëllezërit do të ishin elementë jetikë në një ekip që fitoi tre tituj të njëpasnjëshëm të Eredivisies së bashku me Kupën KNVB të vitit 1993. Sidoqoftë, kulmin vëllezërit De Boer do ta shijonin në Evropë.

I ndihmuar nga shkëlqimi i përjetshëm i Rijkaardit dhe finesa e finlandezit Jari Litmanen, një ekip i përbërë kryesisht nga të formuar në akademi dhe rekrutë të rinj mposhti Milanin të Fabio Capellos në finale e Championsit në vitin 1995.

Ajo fitore ishte mbresëlënëse, por skuadra e kishte arritur pjekurinë duke luajtur një futboll të parezistueshëm gjatë gjithë sezonit. Falë ndëthurjes së shkathtësisë, kreativitetit dhe kulturës së punës, binjakët nga Hoorn kishin treguar se ishin më shumë se të denjë për rolet që mbanin në ekip.

Ndërsa ndikimi financiar i ligave të mëdha evropiane rezultoi në “shpërbërjen” e pashmangshme të skuadrës së Ajaxit, vëllezërit do të qëndronin në Amsterdam për edhe tri sezone e gjysmë. Ishte i tillë vlerësimi në për dyshen që mbajt, saqë pas shitjeve të “yjeve” si Kluivert, Davids dhe Marc Overmars, bordi i klubit u përpoq të qetësonte tifozët duke deklaruar publikisht synimet e tyre për të ndërtuar një tjetër ekip “pushtues” të Evropës rreth vëllezërve De Boer.

Suksesi i tyre në nivel klubesh do të krahasohej me karriera të shkëlqyera ndërkombëtare. Midis viteve 1992 dhe 2000, dyshja do të përfaqësonte Holandën në nëntë turne të mëdhenj ndërkombëtarë të kombinuar. Lavdisë ndërkombëtare do t’i afroheshin në Kupën e Botës 1998, në Francë, dhe në Kampionatin Evropian, në shtëpi, në vitin 2000. Në të dy rastet Holanda, u eliminua te penalltitë.

Edhe pse nuk fituan diçka me përfaqësuesen, numri i pjesëmarrjeve me “tulipanët” (179 ndeshje të dy) dëshmon për klasin e dy futbollistëve që konkurruan në majat e futbollit botëror.

Romanca e tyre me Ajaxin do të përfundonte në fund të viteve ’90. Disa muaj pas nënshkrimit të kontratave gjashtëvjeçare, të dy kërkuan largim nga “Amsterdam Arena” mes zhgënjimeve e mungesës së ambicieve të klubit.

Ajo që pasoi ishte një çështje e gjatë gjyqësore, që përkeqësoi marrëdhëniet midis vëllezërve De Boer dhe kupolës drejtuese të Ajaxit. Kur më në fund u dha “ok” për largimin, vëllezërit hodhën hapin tjetër logjik në pelegrinazhin “Totaalvoetbal” (Futbolli Total), duke iu bashkuar mentorit Van Gaal te Barcelona, në janar 1999, për një total prej 22 milionë stërlinash.

Ndërsa Frank do të gëzonte më shumë sukses në Camp Nou – kapiteni i Holandës do të kalonte tri sezone e gjysmë në qendër të mbrojtjes “Blaugrana” – Ronald nuk i përmbushi pritshmëritë e mesfushorit me nuhatje goli, duke shënuar vetëm një herë në 33 ndeshje të La Ligas.

Pasi kërkoi largimin nga Barcelona, Ronald do të gjente ngushëllim në Glasgow në verën e vitit 2000, kur iu bashkua revolucionit holandez të trajnerit Dick Advocaat te Rangers. Ashtu si Paul Gascoigne dhe Brian Laudrup para tij, Ronald De Boer e gjeti Ibrox-in si vendin e përsosur për një rilindje të karrierës. Mesfushori prodhoi diçka nga futbolli i tij më i mirë gjatë katër sezoneve të shkëlqyera te ky klub. Sezoni i tij më i suksesshëm do të ishte 2002/03, kur 20 golat e tij në të gjitha garat ndihmuan Rangers të arrinte sukses të trefishtë në garat vendëse.

Viti i fundit i Ronaldit në Skoci do ta shihte atë edhe një herë të ribashkuar me Frankun. Pas gjashtë muajsh në Turqi me Galatasaray-n, mbrojtësi iu bashkua vëllait të tij te Rangers në mes të sezonit 2003/04. Edhe pse tani në muzg të karrierës së tij, më i riu De Boer tregoi shumë cilësi në gjysmësezonin e tij me Rangers, për të siguruar që të dy vëllezërit të ndaheshin me urimet më të mira nga “besimtarët” e Ibrox.

Vëllezërit De Boer do të largoheshin së bashku nga Glasgow, këtë herë për ta përfunduar karrierën e tyre në Katar. Edhe në këtë vend, vëllezërit binjakë do të kishin sukses të padiskutueshëm.

Në vitin 2005, dyshja do të shijonte triumfin për herë të fundit në karrierë, duke fituar Kupën e Emirit të Katarit me Al-Rayyan përpara se të kalonin vitet e tyre të fundit tek Al-Shamal.

Në një botë ku shumë vëllezër luftojnë për të kaluar festat me njëri-tjetrin, dukej e pamundur që binjakët holandezë, pasi kishin kaluar pjesën më të mirë të 35 viteve krah për krah, të arrinin akoma suksesin së bashku. Në realitet, nuk duhet të prisnim asgjë më pak nga Ronald dhe Frank de Boer: të bashkuar në lavdi, vështirësi dhe konflikte, por mbi të gjitha, të bashkuar në përsosmëri.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency