Ronaldo e mbyll me Juven, punohet për rikthimin te Man. United
Cristiano Ronaldo shkoi për herë të fundit në qendrën stërvitore të Juventusit paraditen e sotme, ku pasi “mblodhi plaçkat” e tij, u përshëndet me të gjithë të pranishmit dhe më pas me një fluturim privat, u largua përfundimisht nga Torino.
Sulmuesi portugez ka vendosur t’u japë lamtumirën bardhezinjve pas tre sezonesh në “Allianz Stadium” dhe e ka bërë këtë pa gjetur ende një ekip të ri ku do të vijojë karrierën, teksa agjenti Jorge Mendes ka siguruar drejtuesit e Juves se do të sjellë rreth 25-30 milionë euro për kartonin e CR7-ës.
Manchester City ishte klubi më pranë shërbimeve të portugezit, por pas një diskutimi të gjatë në nivel drejtues, “citizens” kanë vendosur të tërhiqen, duke qenë se nuk u duket fort joshëse të paguajnë edhe 30 milionë euro, përveç një kontrate një vjeçare që i kishin ofruar Ronaldos.
Nga kjo situatë ka përfituar Manchester United, që në orët e fundit ka marrë kontakt me menaxherin Mendes, të cilit i kanë ofruar një kontratë dy vjeçare me pagë 20 milionë paundë në sezon, për të rikthyer sërish Ronaldon në “Old Trafford”.
Me një marrëveshje në parim mes palëve, “djajtë e kuq” kanë nisur negociatat me Juventusin dhe u kanë propozuar bardhezinjve 28 milionë euro për kartonin e portugezit, ndërsa tani pritet që torinezët të vendosin nëse do të pranojnë apo jo.
Gjithsesi vlen të theksohet se orët e ardhshme janë vendimtare për transferimin e Cristiano Ronaldos, që do të mësojë brenda mbrëmjes së sotme emrin e skuadrës së tij të re.



