Ronaldo feston titullin e parë me Juven dhe premton besnikëri
Juventusi festoi sot titullin e 8 kampion radhazi në kampionatin italian, që është njëkohësisht i 354-ti në historinë e klubit bardhezi, ndërsa një nga protagonistët e suksesit të këtij sezoni, është padyshim Cristiano Ronaldo.
Portugezi erdhi në Torino në muajin korrik të vitit të kaluar dhe vetëm në kampionat, numëron 19 gola dhe 8 asiste, shifra spektakolare, që konfirmojnë kontributin e tij në rrugën e Juventusit drejt titullit të radhës.
Në përfundim të takimit, CR7 nuk e fshehu kënaqësinë që arriti të fitojë titullin kampion që në sezonin e tij të parë në Itali, ndërsa konfirmoi se do të vijojë të jetë pjesë e Juventusit edhe sezonin e ardhshëm.
“Jam shumë i lumtur që fitova titullin kampion edhe në një tjetër shtet, që në vitin tim të parë. Kemi fituar titullin dhe Superkupën e Italisë këtë sezon, ndaj jemi shumë të lumtur me punën që kemi bërë. Unë do të mbetem te Juventus me 1000 %, ndërsa sezoni tjetër do të jetë akoma më i mirë për ne. Championsin e fiton vetëm një skuadër dhe ndonëse nuk ia dolëm këtë vit, do të synojmë sërish vitin tjetër”, tha portugezi.



