Rrapo “blerja” e Mezanit te Luftëtari
Futbolli në shumë drejtime është i ngjashëm me jetën, atëherë kur kujton se gjithçka ka marrë rrugën drejt humnerës mund të ngrihesh në qiell. Nga ferri në parajasë në pak javë, kjo i ka ndodhur Donald Rrapos. 28-vjeçari e nisi këtë sezon i përfshirë nga pesimizmi, nën drejtimin e Milos Kostic, nuk e pa farre fushën e lojës në takimet ndaj Tiranës e Flamurtarit, u aktivizua vetëm në pjesën e dytë kundër Kastrioti, ndërsa në takimin përballë Laçit u zëvendësua, pra jo mënyra më e mirë për të hedhur hapat e para në një edicion. Asnjëherë nuk i urohet e keqja dikujt, por largimi i Kostic ishte një bekim për mesfushorin. Trajneri i ri Gentian Mezani e tregoi që ditën e parë vlerësimin për Rrapon dhe ky i fundit ja shpërbleu me një supergol ndaj Teutës.
Nuk është i mësuar të shënojë gola të zakonshëm, mjafton të kujtojmë një tjetër perlë ndaj Kukësit 2 vite më parë apo golin kundër Partizanit sezonin e shkuar. Përballë Kamzës pikërisht në vigjile të ditëlindjes së tij të 28-të Rrapo u shfaq sërish vendimtar, nuk ishte nga një distancë e largët, por saktësia ishte me syrin e një kirurgu. Ardhja e Mezanit ka rigjeneruar Donald Rrapon, një lojtar që dukej pranë depresionit sportiv, sot është një nga pikat më të forta dhe fytyra e ndryshimit pozitiv të Luftëtarit në 3 ndeshjet e fundit



