Futboll

Rrëfehet Adriano: Gabimet që më shkatërruan karrierën

Ishte një nga të rinjtë më premtues në futbollin brazilian dhe në vitin 2001, kur ishte vetëm 19 vjeç, Adriao Leite Ribeiro mbërriti në Milano, pasi Massimo Moratti vendosi të investojë te ai.

Pas një gjysmë sezoni te zikaltrit, Adriano luajti për dy sezone e gjysmë në huazim, kohë që i mjaftoi të ambientohet me kampionatin italian dhe të rikthehet te Interi në 2004-ën, këtë herë jo më si një talent premtues, por si një protagonist.

Me zikaltrit kishte nënshkruar një kontratë 5-vjeçare tashmë, që do ta mbante në Milano deri në vitin 2009, por gjërat nuk shkuan aspak siç duhet për yllin brazilian.

Mjaftoi një telefonatë, që e njoftonte se i ati kishte humbur jetën dhe karriera e Adrianos nisi menjëherë tatëpjetën, me sulmuesin që “hodhi në kosh” një të ardhme të ndritur.

“Isha shumë i lidhur me babanë tim dhe lajmi për vdekjen e tij më shkatërroi. Doja vetëm të pija dhe konsumoja gjithçka alkoolike, duke filluar që nga birrat, uiski, vodka, etj.”, deklaroi braziliani.

Megjithatë Adriano vijon të ketë në zemër klubin zikaltër, që i ka qëndruar gjithmonë pranë dhe e ka mbështetur edhe të momentet më të vështira, ndonëse nuk ia ka dalë ta rikthejë në rrugën e futbollit.

“Te Interi më kanë qëndruar të gjithë pranë dhe më kanë mbështetur. Shkoja në stërvitje gjithmonë në orar, por thuajse gjithmonë i dehur. Më merrnin dhe më çonin në dhomën e infermierisë për të fjetur, ndërsa në komunikatën për shtyp thoshin se kisha probleme muskulore”, deklaroi Adriano.

Gjithsesi sulmuesi brazilian ka edhe një merak, pasi mendon se ka qenë pikërisht shoqëria e gabuar, ajo që ka ndikuar për t’i shkatërruar karrierën, ndërsa tregon se në Brazil rigjeti qetësinë.

“Ishte edhe problemi i shokëve me të cilët rrija. Të gjithë më ftonin nëpër lokale me femra dhe alkool dhe më tundonin vazhdimisht të bëja këtë. Askush nuk mendonte se isha futbollist profesionist dhe duhet të kujdesesha për regjimin sportiv”, tregoi Adriano.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency