Rrëfen arratisjen nga Kievi, Fonseca: Makth 30 orësh, gruaja ime qan gjithë kohës
Paulo Fonseca, ish-trajneri i Romës dhe Shakhtar Donetsk, ka rrëfyer makthin e arratisjes nga Kievi, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
“Një makth, 30 orë pa u ndalur. Njerëzit përreth nuk gjenin as karburant, as ushqim. Vetëm kur mbërrita në kufirin me Rumaninë, fillova të pushoj, si të thuash. Gruaja ime qan gjatë gjithë kohës, sepse ne kemi miq dhe të afërm në të gjithë Ukrainën. Tani, përmes federatës sime, jam bërë ambasador i paqes dhe po punojmë për të gjetur strehim, punë dhe shkollë për refugjatët. Një pjesë e vogël, sigurisht, e dy milionëve që po ikin,”-tha për mediat Fonseca.
Kujtojmë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nisur në ditët e fundit të muajit shkurt, ndërsa shumë figura të sportit ukrainas i janë bashkuar ushtrisë për të luftuar për vendin e tyre.



