Rrëfimi i De Ligt, nga ndryshimi Vlahovic-Ronaldo te deklaratat e Raiolës: Për titullin na duhet një mrekulli!
Me dëmtimet e vazhdueshme të Chiellinit dhe Bonuccit, Mathijs De Ligt ka marrë edhe më shumë përgjegjësi në prapavijën e Juventus. Së fundmi, mbrojtësi holandez ka bërë një rrëfim të gjatë për portalin holandez Rondo, teksa i prek të gjithë temat e këtij sezoni me bardhezinjtë. Nga ndryshimi mes Dusan Vlahovic dhe Cristiano Ronaldo, te deklaratat e agjentit të tij Mino Raiola deri te mrekullia që i duhet Juventusit për të fituar titullin në Itali.
CR7-DV7: “Në fundin e verës së kaluar humbëm Cristiano Ronaldon dhe me ikjen e tij, mund të llogariten edhe 30 gola më pak. Por, në atë moment nuk mund të merrnim Dusan Vlahovic pasi ishte vonë dhe mungesa e një sulmuesi të tillë na penalizoi në fillimin e kampionatit. I kuptova cilësitë e Vlahovic kur luajta kundër tij, më ka impresionuar motivimi i tij për të shënuar gola. Kishim nevojë për një sulmues si ai”.
Titulli me Juventus- “Në një pikë të caktuar ishim 14 pikë larg kryesuesve, i vendosëm qëllim vetes të përqendroheshim te Champions-i dhe të merrnim ndeshjet një pas një. Inter, Milan dhe Napoli vazhduan të humbnin pikët dhe tani diferenca është vetëm shtatë pikë. Megjithatë, mendoj se për të fituar titullin në këtë sezon do të na duhej një mrekulli”.
E ardhmja dhe deklaratat e Raiolës- “Kam vënë re se klubi më beson gjithnjë e më shumë përgjegjësi, Chiellini dhe Bonucci janë dëmtuar shumë në këtë sezon dhe ka pasur më shumë presion në shpatullat e mia dhe kjo më pëlqen. Fjalët e Raiolës? Jemi ende në garë në të treja kompeticionet dhe po argëtohem këtu. Javë pas javë mësoj dhe ajo që ka thënë Raiola ishte para tre muajve. Shumë gjëra mund të ndryshojnë mes kësaj kohe, tani jam i përqendrua totalisht te sezoni aktual”, u shpreh De Ligt.



