Rrëfimi i arbitrit italian: Pas atij momenti, u ula në divan dhe nisa të qaj…
Ndonëse është në vitin e 47 të jetës, arbitri i njohur italian, Daniele Orsato nuk ka ndërmend të ndalet dhe vijon të punojë çdo ditë, pasi zbulon se objektivi i radhës është të vendosë drejtësi në ndeshje të rëndësishme të botërorit Katar 2022.
Në një intervistë për mediat italiane, Orsato zbulon një nga momentet më emocionuese të karrierës së tij, pikërisht telefonatën nga Roberto Rosetti, i cili i komunikoi vendimin për t’i besuar arbitrimin e finales së Ligës së Kampionëve mes PSG-së dhe Bayernit të Mynihut në 2020-ën.
“Isha duke u stërvitur kur më erdhi një video-telefonatë nga Rosetti, që ishte dizenjatori i UEFA-s. ‘Je gati për të drejtuar një tjetër ndeshje’, më tha, por menjëherë kujtova se takimi i vetëm i mbetur atë sezon, ishte finalja e Ligës së Kampionëve PSG-Bayern Mynih. U ktheva menjëherë në shtëpi, u ula në divan dhe nisa të qaj. Fëmijët e mi e kuptuan menjëherë se ishin lot gëzimi, ndaj u përqafuam të gjithë bashkë. Duhet të pranoj se lajmi për përzgjedhjen si arbitër i asaj ndeshjeje, ishte edhe më emocionues se vetë arbitrimi”, u shpreh Orsato.
Italia nuk do të marrë pjesë në Botërorin 2022, në Katar, megjithatë Orsato vijon punën dhe shpreson shumë që do të jetë atje, pse jo për të vënë drejtësi në një tjetër finale.
“Unë vijoj të stërvitem dhe kaloj me sukses të gjithë parametrat fizikë, pavarësisht viteve mbi supe. Stimujt janë të rëndësishëm në këtë profesion dhe unë tani synoj pjesëmarrjen në Katar 2022, pse jo një tjetër finale të rëndësishme”, u shpreh Orsato.



