Lajme

Rreshtimi me 3 mbrojtës, nga ideja e Bilardos te çmenduritë e Bielsas

Shumë skuadra, në nivel klubesh por edhe kombëtaresh, preferojnë të luajnë në momente të caktuara, por edhe në vazhdimësi me vetëm tre lojtarë të prapavijë, por është fakt që për ta aplikuar këtë sistem loje duhet të kesh lojtarët e përshtatshëm, që kanë cilësi shumë të mira në të dyja fazat e lojës.

Është shumë e vështirë të përcaktosh nëse sistemi me tre mbrojtës qendre është me prirje ofensive apo difensive. Natyrisht, me 3-4-3 ose 3-5-2, kur skuadra nuk ka topin, mbron me pesë lojtarë. Kur ka në zotërim topin, skuadra sulmon me 3 sulmues dhe dy anësorë ofensivë, pa harruar minimumi njërin mesfushor qendror (me 3-4-3) dhe dy mefushorë qendrorë (numër 6 dhe 8 ose 8 dhe 10) me 3-5-2. Shpjegimi më i gjithëpranuar i kësaj dileme është se gjithçka varet nga interpretimi në fushë dhe lloji i lojtarëve të cilët aktivizohen në krahë. Më qartë, nëse sistemi 3-4-3 formohet duke luajtur me anësorët David Alaba-Arjen Roben, loja është ofensive. Nëse treshja e sulmit formohet nga dy mesfushorë tipikë krahu (Ashley Young-Antonio Kandreva), loja nuk është edhe aq ofensive. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me cilësinë.

Kronologjia: Në nivel ndërkombëtar, sistemi me tre mbrojtës qendre është përdorur nga trajneri Carlos Bilardo që në vitin 1983. Ai mori përgjegjësinë për të drejtuar Argjentinën dhe zhvilloi një sistem 3-5-2 me katër lojtarë të organizuar në formë rombi. Më saktë, ky rreshtim ishte 3-5-1-1, ku katër mesfushorët (tre të qendrës dhe trekuartisti) formonin një romb. Me këtë ide, Bilardo krijoi sistemin perfekt për të rehatuar sa më mirë “yllin” e skuadrës, Diego Maradona. Faktikisht, Argjentina e asaj kohe ishte tmerrësisht ofensive dhe tekniku tha: “Ç’më duhen mbrojtësit e krahut? Më mirë mesfushorë.” Sigurisht, ai pati sukses. Në vitin 1986 fitoi Kupën e Botës.

“Catenaccio”: Evropa e mori shumë shpejt këtë ide. Stili italian i quajtur “Catenaccio” zakonisht kishte një “libero” (mbrojtës qendre i lirë në detyra), një qendërmbrojtës të majtë markues, një qendërmbrojtës të djathtë markues, një mbrojtës të majtë sulmues dhe një mesfushor të djathtë, i cili kthehej kur ishte e nevojshme. Ky i fundit quhej “tornante” dhe nuk u desh shumë kohë që të kthehej edhe më shumë në mbrojtje. Me kalimin e viteve, ky pozicion u emërtua “anësor i djathtë i kthyer”.

Beckenbauer: As Gjermania nuk mbeti pas në përdorimin e një sistemi të ngjashëm me atë të Bilardos. Që nga Kupa e Botës 1974, gjermanët luanin me 3-3-1-2, shpesh me një “libero” sulmues dhe me/ose mbrojtës krahu. Në vitin 1986, trajneri Franz Beckenbauer (Gjermania Perëndimore), në varësi të kundërshtarit, nisi të kthente mbrapa një nga mesfushorët e tij qendror, derisa në finalen e Botërorit mbrojtja e “pancerave” formohej nga një “libero”, dy markues dhe dy mbrojtës anësorë sulmues. Pjesa tjetër e rreshtimit vazhdonte me dy mesfushorë qendre, një organizator (trekuartist – më vonë) dhe dy qendërsulmues. Pra, 3-5-2. Ky sistem u bë shumë i përdorur në vitet ‘90, madje edhe Anglia, një fanatike e sistemit 4-4-2, e provoi disa herë.

Rikthimi: Formacioni me tre mbrojtës qendre u rikthye pas shumë vitesh në “modë”. Në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2005, trajneri Rafa Benitez i surprizoi të gjithë në pjesën e dytë kundër Milanit, duke rreshtuar Liverpulin e tij me 3-4-3. Rezultati: tre gola! Në Serie A mund të thuhet se Napoli ishte “foleja” e parë konstante e kësaj ideje, me trajnerë si Edi Reja dhe Valter Maxarri, por moduli me tre u përdor masivisht edhe nga shumë skuadra italiane, si Juventusi dhe Interi. Madje, edhe nga kombëtarja.

Gjeniu Marcelo Bielsa: Pasardhësi i fronit të Carlos Bilardos me mbrojtjen treshe është Marselo Bielsa. Ai është një trajner gjenial, i njohur kudo si “ I çmenduri”, për shkak se është tërësisht i paparashikueshëm në taktika, sjellje dhe vendime. Bielsa ka bërë epokë, ndonëse pa trofe, me sistemin e tij radikal 3-3-1-3, të cilin e përdori fillimisht në Amerikën Latine (Newells Old Boys, Atlas, America dhe Velez), ashtu si edhe tek Espanioli dhe tek Athletic Bilbao. Vetëm në Francë, te Marseille, ai preferoi të luante me 4-2-3-1. Pavarësisht ndryshimit të numrave, filozofia e tij nuk ndryshon. “Çmenduria” e lojës së Bielsës arriti kulmin me kombëtaret e Argjentinës dhe Kilit (1998-2004, 2007-2011). Skuadrat e tij luajnë me një intensitet të pabesueshëm, vrapojnë pa pushim dhe kanë dinamikë të pashembullt. Ky stil loje kurrë nuk mund të aplikohet për 90 minuta, sepse është sfilitës. Kjo është arsyeja pse ekipet që ai stërvit e nisin shkëlqyeshëm ndeshjen, por më pas bien.

Dishepujt”: Bielsa ka ndryshuar jetën e pesë trajnerëve, të gjithë nxënës të tij. Ata janë Jorge Sampaoli, Mauricio Pochetino, Eduardo Perizo, Gerardo Martino dhe Pep Guardiola. Leksionet e tij janë unike; ai studion për orë të tëra taktika, ide dhe stile loje, gati për të shpikur “hite” në botën e skemave. Pa frikë mund të thuhet se Bielsa është një Johan Krojf modern.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency