Lajme

Rusia “fluturon” me dyshen Cheryshev-Golovin, Arabia Saudite pëson 5 gola

Asnjë surprizë në ndeshjen hapëse të Botërorit numër 21-të në historinë e futbollit. Edhe këtë herë fati i buzëqeshi vendit organizator me Rusinë që dominoi me lojë dhe rezultat Arabinë Saudite. Një fitore e pastër me shifrat e thella 5-0 për vendasit të cilët hodhën një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në grupin A, falë këtij suksesi me shumë peshë. Gjithçka e thjeshtë për rusët të cilët zhbllokuan shifrat që në minutën e 12-të me mesfushorin e Krasnodar Gazinskiy i cili shfrytëzoi krosimin perfekt të yllit të skuadrës Golovin duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtësve dhe me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin Al Muaoiuf. Më pas skena ishte e gjitha për Denis Cheryshev ish lojtarin e Realit të Madridit i cili aktualisht është pjesë e Villarealit. I ardhur në fushë nga stoli në minutën e 24-ët në vend të të dëmtuarit Alan Dzagoev, Cheryshev dyfishoi shifrat pak çaste përpara pushimit me një gol shumë të bukur duke vallëzuar mes mbrojtësve arabo-sauditë.Në pjesë e dytë skuadra e Juan Antonio Pizzit u përpoq të bënte diçka por ishte shumë e vogël përballë një Rusie në superformë që e frymëzuar edhe nga publiku i shumtë në stadiumin Luzhniki dhuroi spektakël. Në të 71-ën vetëm disa sekonda pasi kishte hyrë në fushë sulmuesi Artyom Dzyba me kokë realizoi golin e tretë për rusët, sërish asisti ishte i Golovin. Atëherë kur dukej se gjithçka do të mbyllej me suksesin 3-0 të skuadrës së trajnerit Cherchesov Rusia shënoi edhe 2 herë të tjera me dy lojtarët e saj më të mirë. Në të 91-ën Cheryshev ishte thjeshtë magjik me golin e dytë personal ndërsa në sekondat e fundit të shtesës, Golovin i shumëkërkuari në merkato dhe njëkohësisht më i miri në fushë për rusët ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje standarte duke vulosur rezultatin në 5-0.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency