Rusia pa rivalë, nuk e tremb as publiku slloven
Rusia mundi thellë 3-0 Slloveninë brenda në Ljubljanë, duke u bërë e para skuadër përfaqësuese që regjistron 5 fitore në 5 ndeshjet e para të kampionatit të 31-të europian të volejbollit për meshkuj. Në kryeqytetin slloven, në “Dvorana Center Stozice”, përpara 10.700 spektatorëve, Rusia tregoi qartë përse konsiderohet sërish si ekipi favorit për të triumfuar edhe në europianin e sivjetshëm.
Për hir të së vërtetës, pas avantazhit të fillimit skuadra e drejtuar nga finlandezi Tuomas Sammelvuo vuajti atmosferën e krijuar nga tifozët sllovenë dhe për rrjedhojë ekipi i Alberto Giulianit kryesoi për pjesën më të madhe të kohës, sidoqoftë rezultati 20-19 përfaqëson edhe rastin e fundit kur formacioni vendas e pa veten përpara, sepse në vijim, pas barazimit 21-21, kampionët në fuqi morën katër pikë radhazi, për të mbyllur llogaritë e setit hapës 25-21.
Në setin pasardhës Sllovenia kryesoi deri në 7-6, ndërsa më pas Rusia dominoi gjithë pjesën e mbetur, duke fituar në fund me po të njëjtat shifra. Në Euro Volley-n e fundit Rusia i shkaktoi dy humbje Sllovenisë, fillimisht në Krakow në fazën e grupeve ekipi slloven i bëri rezistencë, duke humbur takimin për vetëm 7 pikë më pak, ndërsa në fazën çerekfinale përballja ndërmjet tyre nuk pati fare histori, sidoqoftë edhe këtë herë Rusia nuk lëshoi asgjë, pasi në setin e tretë skuadra ruse dominoi nga fillimi në fund.
Ndonëse pa MVP i edicionit të kaluar Maxim Mikhailov në përbërje dhe me disa ndryshime në formacion skuadra ruse u shkëput deri në +7, ndërsa në vazhdim falë përkrahjes së publikut të zjarrtë të Ljubljanës Sllovenia ngushtoi diferencën.
Në fakt ishte tepër vonë, sepse trajneri finlandez që ka trashëguar një superskuadër nga trajneri veteran Sergey Shlyapnikov riktheu në parket dyshen Muserskiy – Volkov dhe volejbollistët rusë morën edhe dy pikët që i nevojiteshin për të mbyllur sfidën. Përfundimisht Rusia fitoi ndeshjen në vetëm tre sete, të tre setet madje u mbyllën në mënyrë identike 25-21, në diçka më tepër se një orë e gjysmë lojë.
Spikati Victor Poletaev me 18 pikë, ndërsa Dmitrii Volkov kontribuoi me 14 pikë. Në krahun tjetër më të mirët ishin Alen Pajenk dhe Tine Urnaut që e përfunduan ndeshjen me nga 12 pikë secili.
Pas këtij suksesi Rusia i përfundoi ndeshjet në Grupin C në kuotën e 15 pikëve, ndërsa skuadra e Alberto Giulianit, pas disfatës surprizë me Maqedoninë e Veriut, pësoi edhe humbjen e dytë rresht, duke mbetur në pozicionin e dytë. Të dy ekipet do të qëndrojnë në Ljubljanë, ku do të vijojnë ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë.
Në fazën e 1/8 Rusia do të përballet me Greqinë, ndërsa Sllovenia do të matë forcat me Bullgarinë, sidoqoftë të dyja skuadrat përfaqësuese janë pozicionuar në pjesën e poshtme të shortit dhe nëse fitojnë dy takimet në dispozicion në fazën e “knock out”-it atëherë Rusia me Slloveninë do të përballen sërish ndërmjet tyre, pikërisht në fazën çerekfinale të kampionatit europian të volejbollit për meshkuj.



