Sa më i vjetër, aq më i mirë! Chelsea përgatit rinovimin me liderin e prapavijës
Thiago Silva festoi 37-vjetorin e lindjes në shtator, por mosha nuk po ndikon aspak në paraqitjet pozitive që po bën me Chelsea. Mbrojtësi brazilian ka kontratë deri në verën e ardhshme, por kampionët e Europës nuk duan të humbasin shërbimet e tij.
Thiago cilësohet si një lider në fushën e blertë, Thomas Tuchel, i cili ka punuar me të edhe te PSG, vlerëson shumë kualitetin dhe eksperiencën e lojtarit defensiv, dhe drejtuesit e Chelsea, sipas raportimeve të Footmercato, kanë vendosur të rinovojnë deri në vitin 2023.
Bisedimet me agjentin e futbollistit latin do të nisin së shpejti, bashkëpunimi do të zgjatet me një tjetër vit, teksa duhet arritur akordi në lidhje me rrogën sezonale të lojtarit, diçka që nuk shihet si problem.
Ndërkohë, Chelsea vjen pas suksesit 4-0 në mesjavë kundër Juventusit në Champions dhe kryeson Premier League me 3 pikë më shumë se Manchester City. “Blutë e Londrës” presin Manchester United në “Stamford Bridge” të dielën (17:30).



