Sa shumë mungesa për Kukësin, edhe Reginaldo në pikëpyetje për Skënderbeun!
Sa shumë mungesa për Kukësin në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut. Për takimin e të mërkurës në Kamëz, trajneri Ernest Gjoka nuk do të ketë në dispozicion përveç Gëzim Krasniqit dhe Edis Maliqit të cilët kanë pësuar dëmtime të rënda dhe e kanë mbyllur përpara kohe sezonin edhe Valdet Ramën dhe Arbër Çyrbjan të cilët nuk janë stërvitur këtë të hënë.
Ndërkohë në dyshim të madh janë kapiteni Ylli Shameti dhe sulmuesi Reginaldo të cilët në seancën e fundit stërvitore të Kukësit janë stërvitur të veçuar. Shameti nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi që po e mban jashtë prej disa javësh, ndërkohë që Reginaldo ka ndjerë një shqetësim dhe mjekët e klubit verilindor e kanë këshilluar të stërvitet veçmas.
Nëse ndaj Skënderbeut mungojnë edhe Shameti e Reginaldo atëherë trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka do ta ketë vërtetë shumë të vështirë të krijojë një 11-she të fortë për të tentuar një rezultat pozitiv përballë skuadrës së Shehit.



