Sagnol para përballjes me Shqipërinë: E njoh mirë kundërshtarin, do jenë të lodhur pas Spanjës
Pas testit me Spanjën ku pavarësisht disfatës me rezultatin 2-1, Shqipëria la një përshtypje të mirë në fushë ku rezistuan deri në fund ndaj iberikasve. Tashmë, të besuarit e trajnerit Edy Reja i pret një tjetër test, këtë herë në Air Albania ndaj Gjeorgjisë. Tekniku i këtyre të fundit, Willy Sagnol theksoi se e njeh mirë kundërshtarin, ndërsa pret që pas impenjimit me Spanjën, kuqezinjtë të jenë të lodhur.
“E njohim shumë mirë kundërshtarin, është puna ime ta studio atë. Shqipëria ka lojtarë të mirë të cilët luajnë në klube të spikatura në Europë, e dimë që do të jetë një ndeshje po aq e vështirë sa ajo ndaj Bosnje-Hercegovinës.
Mbase ekipi shqiptar mund të ndjejë lodhjen pas ndeshjes me Spanjën dhe është e kuptueshme të ndodhë diçka e tillë. Ekipi i Shqipërisë nuk ka ndryshuar shumë në stil dhe taktikë në vitet e fundit, më e rëndëishmja është që ne të shfaqim disiplinë dhe shpirt skuadre”, u shpreh Sagnol.



