Sakrifica e Muriqit: Rrezikoja të mbetesha 3 muaj jashtë, pse hoqa dorë nga zëvendësimi
Vedat Muriqi sakrifikoi për Kosovën. Sulmuesi nga Prizreni luajti i dëmtuar, por ia doli të shënojë dy gola në fitoren 3-2 ndaj Irlandës së Veriut në Nations League.
28-vjeçari, i cili ia dedikoi golin e parë Fadil Vokrrit, zbuloi edhe një prapaskenë interesantë të minutave të fundit me trajnerin Alain Giresse. Në fillim i kërkoi zëvendësimin, por më pas ndryshoi mendje.
“Jam shumë i kënaqur me fitoren, ishte e domosdoshme për ne, pasi vinim nga një humbje dhe lojë jo e mirë ndaj Greqisë. Nëse shënoj dhe fitojmë jam trefish më i lumtur, pasi jam sulmues.
Goli i parë në minutën e nëntë? Në pushim e mora vesh që kisha shënuar në minutën e nëntë. Ndihem krenar, golin dhe fitoren ia dedikoj Fadil Vokrrit, ai ka merita nëse ne ndodhemi këtu sot.
Kam qenë në dyshim për ndeshje, ishte rrezik i madh nëse do të merrja goditje në kofshë: do të qëndroja edhe 2-3 muaj jashtë. Jam shumë i lumtur që ia dola. Golat dhe fitoren ia dedikoj edhe stafit mjekësor. Besoj se do luaj edhe ndaj Greqisë.
Në nxehje nuk e ndjeva veten mirë, por ia dola. I thashë trajnerit që mos e bëj ndërrimin e fundit që të më priste, më pas pësuam golin e dytë dhe na nevojitej lartësi në fushë. Thashë të ndodhë çfarë të ndodhë në pesë minutat e fundit, kështu që qëndrova në fushë“, deklaroi Muriqi.



