Saktësi në pasime dhe i fortë në duele, “Analizë Superiore” zgjedh më të mirin e Skënderbeu-Egnatia
Egnatia luajti një pjesë të parë shumë të mirë në Korçë, por humbi 2-0 me Skënderbeun vendas dhe tani duhet të fokusohet te ndeshja e radhës në Abissnet Superiore (në transfertë ndaj Kastriotit).
Gjithsesi, një prej lojtarëve të ekipit të Zekerija Ramadanit u përzgjodh më i miri i ndeshjes nga analizat dhe statistikat e emisionit “Analizë Superiore” në Supersport, nën drejtimin e gazetarit Sokol Xhihani dhe Fation Bardhit, videoanalist i kombëtares U19.

Ai është Besar Iseni, mesfushori nga Shkupi, i cili mori pjesë në 128 aksione ofensive të ekipit të tij, duke realizuar me sukses 107 prej tyre (84%).
24-vjeçari tregoi një saktësi të madhe në pasime, duke pasuar saktë 89 nga 94 topat e nisur drejt shokëve të skuadrës, me një saktësi të lartë prej 95%.
Iseni luftoi fort dhe rikuperoi 20 topa në total, 7 prej të cilëve në gjysmëfushën kundërshtare. Qendërmesfushori i Egnatias u përfshi në 27 duele me lojtarët e Skënderbeut duke dalë fitues në 16 (58%).



